Dy mikeshat nga Kosova, Rita dhe Florjana, të cilat jetojnë në Zvicër, kanë hapur një biznes të ri ndërsa emri i brand-it të tyre duket se është bërë problem për Rihanna-n.
Kjo sepse brand-in e tyre në industrinë e modës, vajzat shqiptare vendosën ta quanin “Riana” sepse është bashkim i dy emrave të tyre, Rita dhe Florjana.
Pikërisht ky emër ka shqetësuar këngëtaren me famë botërore, që ka dërguar ekipin e avokatëve të saj për të marrë në dorë situatën. Emri i brand-it “Riana” do të lidhej nga njerëzit me Rihanna-n, ndaj ata pretendonin se suksesi i dy vajzave do të ishte në kurriz të këngëtares.
Ndaj avokatët i kërcënuan Ritën dhe Florjanën se do t’i ngrinin padi, nëse nuk ia ndryshonin emrin biznesit të tyre. Për këtë arsye, shqiptaret ndryshuan pozicionin e bashkimit të emrave, duke e quajtur firmën e re “Anari”.
“Ne jemi një kompani e re dhe thjesht donim të fillonim me shkronjat e para të emrave tonë. Biznesin e regjistruam në Zyrich dhe emri i Rihannës nuk asocionte asgjë me punën tonë. Ishte fundi i botës për ne kur avokatët e Rihannës na kërcënuan. Rihanna është shumë e madhe dhe ne nuk e kemi në plan të futemi në procese gjyqësore me të. Ne kemi tani një emër tjetër,” treguan vajzat për mediat zvicerane.