Prishtinë – Të akuzuarit Xhafer Ramaj dhe Shefqet Morina kanë deklaruar se asnjëherë nuk kanë pranuar kërkesa për ndërrim të destinimit nga toka bujqësore në toka ndërtimore.
Një deklarim të tillë, Ramaj dhe Morina e ka dhënë në seancën e së enjtes gjatë dhënies së mbrojtjes së tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, dy zyrtarët e Komunës së Drenasit Shefqet Morina dhe Xhafer Ramaj tash pensionist akuzohen se gjatë një periudhe tetëvjeçare, nuk kishin respektuar procedurat ligjore me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore në toka ndërtimore në Drenas.
“Nuk kam pasur kërkesa për ndërrim të destinimit të paluajtshmërisë. Nuk kam pasur kompetencë që të bëj ndërrimin e destinimit”, tha i akuzuari Ramaj.
Si gjeodet Ramaj ka thënë se ka pasur për detyrë vetëm daljen në teren për të konstatuar gjendjen faktike sipas kërkesës së palës.
Edhe i akuzuari Morina ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur kërkesa për ndërrim të destinimit të tokave.
“Asnjëherë nuk kemi pasur kërkese për ndërrim të destinimit nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore dhe ndihem shumë i shqetësuar”, tha i akuzuari Morina.
Tutje, i akuzuari Morina ka deklaruar komisioni, i cili ka bërë vlerësimin ka qenë i manipuluar dhe shtoi se nuk ka bërë asnjë keqpërdorim të detyrës.
Fillimisht, ai ka thënë se që nga viti 2009 punon si shef i Kadastrit në Komunën e Drenasit.
Sipas tij, më rastin e regjistrimit të ndonjë prone qoftë bartje e pronës, qoftë për ndërrimin apo destinimin e ndonjë prone, si dokumente kërkohen kontratë, aktvendime, dokumente të ndryshme.
Ndërsa, i njëjti tha se ndërrimin e destinimit e bën Drejtoria e Urbanizimit.
“Ne s’kemi pasur ndonjë kërkesë për ndërrim të destiminit, ka pas kërkesë për ndërrim kulture, vendimet për ndërrim të destinimit Zyra e Kadastrit nuk ka leshu vendime për ndarje të parcelave, për bashkim të parcelave dhe për ndërrim te kulturës, për ndërrim të destinimit nuk ka pas”, ka thënë Morina.
I njëjti ka thënë se kërkesat për ndarje, bashkim ose ndërrim të kulturës kanë qenë të kompletuara.
Gjatë punës së tyre, ai tha se e kanë zbatuar Udhëzimin Administrativ 02/2013 të Ligjit për Kadastër.
I akuzuari Morina, tutje ka thënë se pala ka të drejtë të parashtrojë kërkesë në gjeodezi për ndërrimin e shfrytëzimit të parcelës p.sh. nga arë në ndërtimore, varësisht nga kërkesa e palës.
E kësaj kërkese të palës, ai tha se i bashkëngjitet edhe kërkesa e terrenit, letërnjoftimi i palës, tatimi në pronë, fleta poseduese dhe regjistri i paraqitjeve të parcelave të cilën e bënë gjeodeti ku sipas tij shënon gjendja e vjetër dhe gjendja e re.
Pastaj, Morina tha se gjeodeti e dorëzon në kadastër regjistrimin e fletëparaqitjes lidhur me gjenden e vjetër dhe gjendjen e re.
Dosjen e gjeodetëve, Morina tha se kontrollon shefi i gjeodezisë.
Por, sipas tij Drejtoria për Gjeodezi e bën vetëm regjistrimin për ndërrimin e destinimit dhe nuk merret me hartimin e vendimit pasi që ai tha se ato vendime i lëshon Drejtoria për Urbanizëm.
I njëjti tha se nuk është në dijeni se në cilat raste nuk është lejuar ndërrimi i destinimit.
Për ndërrimin e kulturave prej arës në livadh ose kullosë, ai tha se duhet të merret pëlqimi nga Drejtoria e Urbanizmit.
Ndërsa, për rastin konkret për ndërrim të destinimit nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore Morina ka thënë se pëlqimin duhet ta jep Ministria e Bujqësisë.
Ndërrimi i destinimit të tokave, sipas tij, ka ndodhur sipas Ligjit të Komasacionit.
Morina gjithashtu ka deklaruar se Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) asnjëherë nuk ka dhënë vërejtje.
Paraprakisht, gjykimi ndaj Ramaj dhe Morinës ka filluar rishtazi për shkak të ndërrimit të përbërjes së trupit gjykues.
Më parë, kjo çështje gjykohej nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, por pas pensionimit të saj, kryetare e trupit gjykues në këtë çështje është gjykatësja Sulltane Hoti.
Me qenë se gjykimi filloi rishtazi, dy të akuzuarit u deklaruan edhe një herë të pafajshëm për veprat penale që ju vihen në barrë.
Ndërsa, prokurorja Merrushe Llugiqi, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Altina Mulaj dhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ramë Dreshaj dhe Ilir Ramaj, qëndruan pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë.
Po ashtu, me pajtimin e të gjitha palëve, u konsideruan të lexuara deklaratat e të gjithë dëshmitarëve si dhe u konstatuan të administruara provat materiale.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 5 tetor 2023, ku pritet të jepet fjala përfundimtare.
Sipas aktakuzës së përpiluar me 24 gusht 2020, i pandehuri Xhafer Ramaj, në pozitën shef i sektorit të gjeodezisë dhe i pandehuri Shefshet Morina, në pozitë të shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, në cilësinë e personave zyrtare kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar e kanë tejkaluar kompetencat e tyre.
Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2010 e deri në vitin 2018, në vazhdimësi, me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë apo livadh në tokë ndërtimore, nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 02/L-26 për Tokat Bujqësore, si dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.41/2006 për Ndërrimin e Destinimit të Tokave Bujqësore.
Tutje, thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të pandehurit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në në 16 zona kadastrale, në komunë të Drenasit, ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Karrtoicë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Gllogoc, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe të përgjithshme prej 25.55.51 hektar.
Sipas prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231,689.00 euro. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.