Një lokal është përfshirë nga zjarri mbrëmë në fshatin Dren të Leposaviqit, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se rastin e ka denoncuar pronari i lokalit, i cili dyshon se persona të panjohur i kanë vënë qëllimisht zjarrin objektit.
Bazuar në dëshminë e tij, dëmet materiale që shkaktuan kapin vlerën e rreth 7 mijë eurove.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe zjarrfikësit, të cilët kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin në tërësi.
Në kuadër të veprimeve hetimore, Policia ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë që monitorojnë atë zonë, ku janë vërejtur dy persona të cilët fillimisht dyshohet se kanë hedhur lëndë djegëse e më pas ia kanë vënë flakën lokalit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Zjarrvënie’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.