Dy të dyshuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, kishin ruajtur informacione, kryesisht të ditura në publik, në telefonët e tyre.
Ndonëse ata nuk operonin si ekip, edhe pse të dy nga Ferizaj, Shabani dhe Qerimi dyshohet se e kishin një kontakt në BIA-n serbe. Ai ishte Srgjan Rosiq, një zyrtar përgjegjës i BIA-s në Pançevë.
Prokuroria Speciale nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e dëshmisë. Edhe Durmishi e ka demantuar dokumentin i cili kishte dal në publik para një viti.
Sipas aktakuzës së prokurorit special Bekim Kodraliu, dëshmia me përfoljen e Durmishit të cilën e mbanin në telefon dy të akuzuarit për spiunazh, veçse ishte publike në media.
“Nga dosja Images që ka gjithsej 3466 fotografi, përfshihen, fotografi të ndryshme, duke specifikuar tri fotografi dhe një deklaratë e dhëne në gjuhen serbe Hysen Durmishi, (tani
në pozitën e zëvendës Ministër në Qeverinë e RK-së) e cila, dëshmi është publike edhe në media”, thuhet në aktakuzë, derisa vazhdon: “Vlen te ceket se kjo deklarate është gjetur edhe ne ekzaminimin e dëshmisë B#34, Telefon i te dyshuarit tjetër Muharrem Qerimi”.
Në telefonin e Muharrem Qerimit, sipas ekzaminimeve të policisë, thuhet se shihet një foto “ku flitet rreth UÇK-së, mirëpo foto është gjysmake dhe nuk kuptohet”.
“Po ashtu në kuadër të ekzaminimit të pajisjes së të pandehurit Qerimi, shihet edhe një foto ku flitet rreth UÇK-së, mirëpo foto është gjysmake dhe nuk kuptohet, mirëpo emri i zv.
Ministrit Hysen Durmishi, ai i Bujar Bukoshit, etj…”, thuhet në aktakuzë.
Dokumenti, i cili ishte publikuar në rrjete sociale para rreth një viti, paraqet kinse një dëshmi të zëvendësministrit Durmishi para hetuesisë serbe më 1998.
As Prokuroria Speciale nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e dokumentit, i cili sipas të gjitha gjasave është një falsifikim i radhës i shërbimeve të huaja.
Durmishi, në një reagim para një viti ndaj qarkullimit të këtij dokumenti në rrjetet sociale, kishte thënë se një dokument i tillë “është i falsifikuar”.
“Që ata mund të bien deri në këtë nivel sa të shërbehen me dokumente të falsifikuara në bashkëpunim me UDB-në, nuk do më shkonte mendja. Ky dokument që është publikuar po qarkullon nga dora në dorë qe një kohë. Për këtë jam njoftuar nga një gazetar para më shumë se një viti”, kishte thënë Durmishi.
Zëvendësministri i Infrastrukturës kishte treguar se ka qenë i arrestuar nga policia serbe më 1998 dhe se ishte mbajtur në burgje deri në vitin 2000. /Paparaci.com