Sot shënohet dyvjetori i përmbytjeve shkatërruese në Skenderaj, një ngjarje që la pas miliona euro dëme dhe preku çdo aspekt të jetës në këtë zonë. Lumi Klina, i cili doli nga shtrati për shkak të reshjeve të mëdha dhe uzurpimeve pranë tij, shndërroi qytetin dhe rrethinat në një arenë katastrofe natyrore, shkruan rajoni.org.
Megjithëse komuna ka ndërmarrë disa hapa për zgjerimin e lumit në zona të caktuara, qendra e qytetit vazhdon të jetë e papërgatitur për situata të ngjashme. Për më tepër, ndërtimet shumëkatëshe përgjatë lumit jo vetëm që bllokojnë zgjerimin, por rrezikojnë të përkeqësojnë pasojat në të ardhmen.
Pavarësisht vlerësimeve të kryera për dëmet që goditën bizneset dhe bujqësinë, kompensimet e premtuara nga qeveria vazhdojnë të mungojnë, duke lënë banorët dhe bizneset të përballen të vetëm me pasojat ekonomike dhe sociale të fatkeqësisë./Rajoni