Saturday, January 10, 2026

Dyshime për dallavere në Skenderaj: Më lirë se ujin, Komuna faturohet me 9 dhe 17 cent për litër naftë – deklarohet AQP

Furnizimi me derivate i Komunës së Skenderajt ka ngritur dyshime serioze për dallavere, pasi nga faturat që ka siguruar portali rajoni.org për vitin 2026 del se komuna e udhehequr nga Sami Lushtaku po faturohet me çmime skandalozisht të ulëta për naftë, shkruan rajoni.org.

Sipas këtyre faturave të siguruara nga rajoni.org, Komuna e Skenderajt po faturohet për një litër naftë me vetëm 9 cent dhe 17 cent, në një kohë kur në tregun e Kosovës një litër naftë shitet momentalisht rreth 1 euro e 17 cent.

Kjo situatë sipas burimeve të rajoni.org ka ngritur pikëpyetje të mëdha brenda zyres së financave të Skenderajt, pasi del se Komuna po faturohet më lirë për një litër naftë sesa për një litër ujë, i cili aktualisht në treg kushton rreth 50 cent.

Pikërisht për këtë dallim të madh në çmime, janë shtuar dyshimet se këtu mund të ketë dallavere, manipulim të faturave ose ndihmës të pushtetit për shmangie të detyrimeve tatimore.

Lidhur me këto gjetje, rajoni.org i ka shkruar Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), duke kërkuar sqarime të nëvojshmë pa përmendur institucionin apo operatorin.

Nga AQP kanë mohuar se ekziston ndonjë kontratë me çmim 9 cent për litër, duke kërkuar të dhëna shtesë.

“AQP nuk ka pasur asnjëherë kontratë me çmim 9 cent për litër. Çmimet e karburanteve përcaktohen çdo muaj sipas formulës së kontratave. Për të ofruar më shumë informacione, na dërgoni të dhënat për operatorin, kontratën dhe institucionin”, thuhet në përgjigjen e AQP-së.

Rajoni.org i ka dërguar pyetje edhe Komunës së Skenderajt, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje, duke shtuar edhe më shumë dyshimet mbi këtë rast.

Ndërkohë, rajoni.org mëson se pompa e derivateve ku furnizohet Komuna e Skenderajt është në pronësi të një personi që është mik dhe i afërt me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, çka forcon dyshimet për konflikt interesi dhe favorizim.

Sqarim: Portali rajoni.org posedon faturat e tri drejtorive dhe dy enteve të Komunës së Skenderajt. Për shkak të konfidencialitetit, këto fatura dhe deftësat e nënshkruara nuk do të publikohen të plota. Megjithatë, rajoni.org është i gatshëm që në çdo kohë t’ua vë në dispozicion organëve të hetuesisë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer