Me 11 mars 2026, Operatori ekonomik “Double I&I” ka paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ndaj Komunës së Mitrovicës e cila udhehiqet nga Faton Peci, lidhur me procedurën e prokurimit për tenderin “Mirëmbajtja higjenike-sanitare (pastrimi) i objektit të komunës dhe institucioneve tjera”, me vlerë të parashikuar rreth 500 mijë euro, shkruan rajoni.org.
Në ankesë e saj, kompania “Double I&I” thotë se Komuna e Mitrovicës nuk e ka zbatuar në mënyrë të plotë vendimin paraprak të OSHP-së, i cili kishte urdhëruar kthimin e procedurës në rivlerësim dhe korrigjim të dokumentacionit të tenderit, për shkak të parregullsive dhe kritereve problematike.
Sipas saj, pas publikimit të dokumentacionit të korrigjuar është konstatuar se kriteri i kontestuar për dorëzimin e mostrave ka mbetur i pandryshuar ose është modifikuar vetëm formalisht, duke vazhduar të jetë, sipas tyre, kriter diskriminues dhe kufizues për konkurrencën.
Në ankesë theksohet se një veprim i tillë bie ndesh me disa dispozita të Ligjit për Prokurimin Publik, përfshirë parimin e trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit, parimin e ekonomisë dhe efikasitetit, si dhe rregullat për specifikimet teknike dhe kriteret e përzgjedhjes, të cilat sipas tyre duhet të jenë proporcionale dhe të lidhura drejtpërdrejt me objektin e kontratës.
Operatori ekonomik pretendon se kërkesa për dorëzimin e mostrave nuk është e arsyetuar në raport me natyrën e shërbimit që po prokurohet dhe se një kriter i tillë mund të kufizojë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në këtë tender.

