Komuna e Drenasit i ka dhënë tenderin “Ndërtimi i kapacitetit të ujësjellësit në Drenas – Faza e dytë” kompanisë DIAMANTI SH.P.K., ndonëse kjo kompani ishte më parë e denoncuar publikisht nga vetë kryetari Ramiz Lladrovci për punë të dobëta dhe mosrespektim të paramasave në projektet e mëhershme. Për të njëjtën kontratë janë ngritur edhe dyshime për konflikt interesi.
Në garë për tenderin “Ndërtimi i kapacitetit të ujësjellësit në Drenas – Faza e dytë”, kishin ofertuar katër kompani.
Komuna e Drenasit, me kontratë afro 300 mijë euro, shpërbleu DIAMANTI SH.P.K.

Denoncimi i mëhershëm i kompanisë nga vetë kryetari
Më 25 mars 2019, kryetari Ramiz Lladrovci kishte dalë në terren për të inspektuar punimet në kuadër të projektit “Ndërtimi i kapacitetit të ujësjellësit në Kamenicë”, ku kompania punëkryese ishte po e njëjta – DIAMANTI SH.P.K.
Gjatë inspektimit, ai kishte vërejtur mospërputhje të mëdha me specifikimet teknike të kontratës.
“Punimet nuk janë kryer sipas standardeve dhe paramasave të planifikuara, për shkak se mungon rëra mbrojtëse për gypat në shumë vende, gypat ishin vendosur mbi gurë, dhe thellësia mbi gyp nuk i kalonte 30 cm. Thellësia e kanalit arrinte deri në 55 cm, që është larg nga ajo që ishte paraparë në kontratë (80 cm)”, thuhej në postimin zyrtar të Komunës së Drenasit.
Lladrovci kishte kërkuar nga menaxheri i projektit që të merren masa ndaj kompanisë dhe të evitohen parregullsitë, duke paralajmëruar masa ndëshkuese nëse defektet nuk rregulloheshin.
“Përndryshe do të merren masat ndëshkuese ndaj kompanisë siç parashihet me kontratë”, kishte thënë ai.

Pavarësisht këtij denoncimi të drejtpërdrejtë, Komuna e Drenasit ka vendosur t’i besojë sërish një projekt madhor të njëjtës kompani.
Dyshimet për konflkt interesi
Reforma Demokratike, ka pretenduar se ka shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik dhe konflikt interesi, favorizim dhe dëmtim të fondeve publike.
Tenderi sipas tyre i dhënë për ‘DIAMANTI SH.P.K; përbën shkelje të këtyre dispozitave ligjore: Parimet themelore të transparencës, konkurrencës dhe mosdiskriminimit, dosja e Tenderit, pranueshmëria e Kandidatëve ose Tenderuesve.
Reforma Demokratike ka alarmuar se personi që ka hartuar specifikat është pjesë e stafit të kompanisë që fitoi tenderin.
“Gjatë analizës së dokumentacionit të publikuar në platformën e KRPP-së, E-prokurimi, si dhe në bazë të dokumenteve zyrtare të ofruara nga Komuna e Drenasit pas kërkesës sonë për qasje në dokumente publike, kemi evidentuar elemente shumë serioze, të cilat në mënyrë të qartë dhe të provueshme ngrenë dyshimin për konflikt të drejtpërdrejtë interesi dhe favorizim të operatorit ekonomik të kontraktuar”, thuhet në ankesë.
Egzon Behluli, thuhet se është autor i dokumentit që përmban vetitë teknike të tenderit.
“Dokumenti i paramasës për fazën e dytë të projektit, i ngarkuar nga autoriteti kontraktues në platformën e KRPP-së më datë 29.05.2025, përmban në vetitë e tij teknike emrin Egzon Behluli si autor i dokumentit”.
I njëjti është edhe pjesë e stafit të kompanisë DIAMANTI SH.P.K me pozitën “Inxhinier në punishte”.
“Kjo do të thotë që dokumentacioni teknik i tenderit është përgatitur nga një individ jashtë stafit të Komunës, aq më shumë nga një përson që është pjesë e stafit të OE i shpallur fitues edhe për këtë aktivitet të prokurimit dhe nënshkrues i kontratës
Përmes dokumentit zyrtar të titulluar “Lista e stafit” të operatorit ekonomik DIAMANTI SH.P.K., të dorëzuar si pjesë e ofertës për fazën e parë të projektit (dhe që sipas informacioneve tona nuk ka ndryshuar as për fazën e dytë), rezulton qartë se Egzon Behluli është pjesë e stafit të kompanisë, me pozitën “Inxhinier në punishte”.
Kjo nënkupton se i njëjti person ka qenë njëkohësisht hartues i dokumentacionit teknik të tenderit dhe pjesë e stafit të kompanisë përfituese, gjë që bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 27 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), i cili ndalon përfshirjen e çfarëdo personi me konflikt interesi në hartimin ose zbatimin e procedurave të prokurimit”, thuhet në ankesë.
Insajderi ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga Komuna e Drenasit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.