Policia e Kosovës ka konfirmuar se biznesmeni kosovar Valon Ademi dhe Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, janë përfshirë në një përleshje fizike. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 30 janarit në një lokal në qendër të kryeqytetit.
Nga Policia e Rajonit të Prishtinës kanë konfirmuar të martën për Reporteri.net se rasti është inicuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
“Ju njoftojmë se rasti është raportuar në polici dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit është hapur rast për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”. Të gjitha veprimet e radhës do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Reporteri.net.
Gazeta online Reporreri.net merr vesh se incidenti ka ndodhur pas një përplasje verbale mes dyshes të cilët po qëndronin në të njëjtin lokal në Prishtinë. Derisa sulmi me grusht i biznesmenit Ademi ndaj Havollit u krye kur ky i fundit ishte nisur për t’u larguar nga lokali.
Emri i biznesmenit Valon Ademi është përmendur muajve të fundit në Shqipëri për shkak se u lidh me disa investime të përfolura rreth Aeroportit të Vlorës, duke e vënë në qendër të një skandali të bujshëm atje.
Havolli ndërkohë ka mbajtur më herët funksione të rëndësishme publike në Kosovë, përfshirë postin e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe drejtuesit të ndërmarrjes publike “Parking Prishtina”. Ai ka qenë kandidat i LDK-së për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare, por nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.
Rrahja u raportua tek të shtunën, një ditë pas, fillimisht në mediat në Shqipëri.