Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla së bashku me Ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, këtë të mërkurë në mëngjes, me anë të një video, u krekosen për një aksion të madh policorë, për mbylljen e strukturave paralele. Krejt ky aksion po del të jetë veç urdhër politik, pasi prokuroria me anë të një komunikate për media, ka sqaruar se nuk e ka urdhëruar fare këtë aksion.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik, njofton se lidhur me rastin e kryerjes së kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele, prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për tu krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. “ – thuhet në komunikatë.
Madje në komunikatën e Prokurorisë thuhet se “me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi.”.
Që i bie se aksioni u bë pa i përfillur procedurat ligjore.
Reagimi i Ambasadës së ShBA
Ambasada amerikane ka kritikuar veprimet e Qeverisë së Kosovës, pas mbylljes së institucioneve paralele në disa komuna.
Në një përgjigje për Nacionalen, nga ambasada kanë thënë fillimisht se këto veprime, ndikojnë negativisht te qytetarët e vendit.
“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për të mbyllur institucionet e drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik” – ka thënë një zëdhënës i Ambasadës.
Tutje, në përgjigje thuhet se këto veprime dobësojnë besimin dhe kufizojnë aftësinë e ShBA-së për ta ndihmuar vendin.
“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj.
Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën”– thuhet në përgjigje.
Çka thanë Sveçla e Krasniqi
Ministrat Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi në një video të publikuar mëngjesin e së mërkurës, kanë thënë se janë mbyllur të gjitha institucionet paralele të Serbisë në Kosovë.
Në këtë video, ministri Sveçla dëgjohet duke thënë:
“Nga sot kapitulli institucioneve parelele ilegale kriminale të Serbisë në Kosovë mbyllet.
Gjithandej, objektet omunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”.
Krahas së njëjtës, Sveçla ka thënë se janë mbyllur komunat paralele në disa qytete të Kosovës.
“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.
Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale” – tha ai.