E shtunë, 16 Nëntor, 2024

E rëndë në Skenderaj: 19-vjeçarja dyshohet se u dhunua fizikisht dhe seksualisht nga bashkëshorti

Dhuna në familje është një fenomen mjaft shqetësues dhe viktimat më të shpeshta janë gratë, të cilat keqtrajtohen fizikisht e psiqikisht nga burrat dhe për pasojë kërkojnë mbrojtje institucionale. Rastet e tilla shumë shpesh nuk raportohen për muaj e vite me radhë, pasi gratë frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët. Jo rrallëherë ka ndodhur që ato janë detyruar edhe të kryejnë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë po dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e një çifti në fshatin Qubrel të Skenderajt, të cilët janë të martuar që nga viti i kaluar. Muajt e fundit për gruan në këtë familje kanë qenë të vështira pasi burri i saj po dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj saj.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se denoncimi i rastit të fundit u bë ‘sebep’ që të zbulohet se viktima dyshohet se u dhunua dhe u shantazhua nga bashkëshorti i saj.

Sinjali mëson se viktima fillimisht e ka raportuar në Polici burrin e saj për dhunën që ia ka shkaktuar tash e një kohë, si dhe ka kërkuar ndihmë. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është lënë i lirë, për t’u hetuar në procedurë të rregullt, por pas riintervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Si rezultat i hetimeve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që edhe viktima të riintervistohet, në mënyrë që të zbulohet se çka ka ndodhur në të vërtetë mes tyre. Pas marrjes së deklaratës nga viktima janë ngritur dyshimet se burri i saj ka kryer edhe veprat penale “Dhunim” dhe “Shantazh”.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rasteve edhe për këto dy vepra penale dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer