Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të ndryshëm, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e trishtë dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Dumnicë e Ulët në Vushtrri, ku një person dyshohet se ka dhunuar seksualisht një grua.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ajo çfarë e bën edhe më të rëndë rastin, është fakti që sipas motrës së viktimës e cila denoncoi rastin në Polici, viktima është me të meta psikike.
Bazuar në deklaratën e dëshmitares dhënë organeve të hetuesisë, e gjithë ngjarja ka ndodhur mbrëmë, kur motra e saj (viktima), ishte dalë nga shtëpia për t’u takuar me të dyshuarin dhe me të njëjtin kanë vazhduar në drejtim të qytetit, e që më pas kanë kryer edhe marrëdhënie seksuale.
Në kuadër të veprimeve hetimore, viktima është dërguar për ekzaminime mjekësore, ndërkohë që i dyshuari ka rënë në prangat e Policisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.