Gjatë fushatës zgjedhore por edhe në ditën e zgjedhjeve dhe më pas, rrjetet sociale janë mbushur me video të ndryshme, kryesisht nga militantë politikë, ku janë etiketuar politikanë të ndryshëm. Për një rast të tillë, Policia ka nisur një hetim në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Inicimi i rastit erdhi pas raportimit të kandidatit të PDK-së për deputet, Mërgim Lushtakut, i cili gjatë ditës së djeshme kërkoi ndihmë në Polici lidhur me disa postime të shpërndara në TikTok.
Gazeta Sinjali ka mësuar se Lushaku ka raportuar se në video të ndryshme janë shfaqur fotografitë etij dhe të babait të tij, Sami Lushtakut, ku janë përdorur figura të ndryshme dhe simbole nacionaliste serbe.
“Këta janë djemtë e Radoiçiqit e kanë një siklet të madh që po i japin zor mos me fitu Albin Kurti”, “Kanë me metë me gishta në goje kur t’i konfiskohet pasuria…”, janë disa nga mbishkrimet e përdorura, që janë shoqëruar me këngë nacionaliste serbe, thonë tutje të njëjtat burime.
Në dëshminë e tij, burimet brenda Prokurorisë thonë se Lushtaku ka deklaruar se po prishet imazhi i tij dhe i familjes, e po ashtu ka shqetësim për sigurinë e familjes së tij.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit ” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.