Mësimdhënësi nga Dragashi, Dalip Meleqi i cili ishte i njohur për publikun si mësuesi që rrahu me rrip nxënësit, tani është kapur në një video tjetër duke ushtruar dhunë fizike e sjellje jo etike ndaj një nxënëse të shkollës fillore “Ilmi Bahtijari” në Bllaç të Dragashit.
Dalip Meleqi është mësimdhënës i matematikës në këtë shkollë. Insajderi ka siguruar një video ekskluzive të sjelljes jo etike të tij.
Në pamjet e siguruara, mësuesi shihet shumë i afërt me nxënësen duke e përkëdhelur pas shpinës. Në disa momente shihet edhe duke i rënë me shuplaka në fytyrë.
Nga ana tjetër, nxënësja shihet se është duke i rezistuar afërsisë së tepërt të mësuesit.
Mësuesi tenton të bllokoj nxënësen tek një cep i bankës dhe e mbështet për muri duke mos e lejuar të kalojë.
Këtu dëgjohet një zë i një nxënësi tjetër duke i kërkuar mësuesit që ta le rehat nxënësen.
“O prof, le rehat se gjynah”, thotë nxënësi.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashit, Zeni Krasniqi është shprehur i shqetësuar pasi ka marr informacionet nga Gazeta. Ai tha se nuk është në dijeni për një rast të till dhe se po e dëgjon për herë të parë nga Insajderi.
“Po më vjen keq që po e dëgjoj këtë nga ju. Nuk kemi pranuar asnjë ankese për një rast të till në këtë shkollë. Rasti i më hershëm ndaj tij ka kalu në procedurat e komisionit disiplinorë. Por në atë periudhë unë nuk kam qenë drejtor i Arsimint në Dragash”, tha Krasniqi.
Gazeta Insajderi është duke provuar të kontaktoj dhe mësimdhënësin në fjalë dhe drejtorin e shkollës dhe do t’ju informoj në orët në vazhdim.
Kujtojmë se ndaj mësuesit të njëjtë ekziston një Kallëzim Penal. Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj mësimdhënësit, me dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “hakmarrje”.
Prindërit kishin ngritur zërin për të treguar se ky nuk është rasti i parë që arsimtari në fjalë ka kryer këtë vepër.