Një konflikt familjar ka ndodhur mbrëmë në fshatin Strellc i Ulët në komunën e Deçanit, ku një person dyshohet se ka rrahur brutalisht motrën e tij.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e familjes, ku 38-vjeçari ka eskaluar në dhunë fizike ndaj motrës së tij më të madhe, të cilën e ka kapur për flokësh dhe e ka tërhequr zvarrë nëpër shtëpi.
39-vjeçarja kishte arritur që të shpëtojë dhe të ik nga shtëpia duke dalë nga dritarja e prej ku kishte kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të marra. Ndërkohë ajo ka denoncuar rastin edhe në Polici, ku ka deklaruar se vëllai ushtron dhunë psikike e fizike ndaj saj.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të 38-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.