Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale.
Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, e shumë herë edhe të moshuar. Për një rast të tmerrshëm që dyshohet të ketë ndodhur në Vushtrri, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është 72-vjeçari, Ilmi Lahi, i cili punon si taksist.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmë, kur e mitura e cila kishte qenë pasagjere në veturën e të dyshuarit, është përballur me veprimet e shëmtuara të Lahit, i cili dyshohet se devijoi rrugën dhe nuk e dërgoi viktimën në destinacionin që ajo kërkoi.
Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, i moshuari gjatë rrugës e ka sulmuar seksualisht dhe më pas ajo ka kërkuar me ngulm që ai ta ndal veturën dhe ta lërë që të largohet.
Pasi ka arritur që të ikë nga vetura e 72-vjeçarit, e mitura ka kërkuar ndihmë dhe ka marrë edhe tretman mjekësor në Emergjencën e spitalit në Vushtrri.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.