E mërkurë, 20 Nëntor, 2024

E vërteta e zymtë e Albin Kurtit dhe “Vetëvendosja” e tij që nuk ekzistoi kurrë

Në Rambuje, Delegacioni Kosovar ka pranuar një marrëveshje pasi që ka kontribuar direkt në përmbajtjen e saj. Delegacioni Kosovar e ka pranuar atë marrëveshje vetëm pasi është siguruar se në marrëveshje do të përfshihej e drejta e referendumit popullor 3 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Në Vjenë, Delegacioni Kosovar ka qenë kategorik në kërkesat e tij për pavarësi të Kosovës. Në fund, vetëm pasi Kosova u sigurua që kërkesa e saj për pavarësi do të përfshihej në plan, ajo pranoi Pakon e Ahtisarit.

Megjithatë, një grusht njerëzish të zhurmshëm, të paditur e mashtrues, thonin se nuk është e është e mundshme që kërkesat dhe aspiratat e Kosovës të përfshiheshin në negociata. Sepse vetë procesi negociator që kishte pavarësinë si kërkesë maksimale, do të përfundonte me zmbrapsje nga ky qëndrim fillestar.

Për rrjedhojë, Kosova duhej të largohej nga negociatat sepse “pavarësia në paketë nuk vjen”. Sipas këtij interpretimi të dobët, të përçudnuar e të poshtër, Kosova do të mbetej vetëm rajon autonom në Serbi.

Ajo që ndodhi më pas thjesht demantoi çdo premisë të Vetëvendosjes. Kosova u bë e pavarur. Ajo vendosi për veten e saj edhe duke negocuar. Sepse ishte e aftë dhe e vendosur që të vendoste vet për përmbajtjen e marrëveshjes.

Kështu, Vetëvendosje jo vetëm që ishte demantuar, por edhe mbeti pa kauzë. Lidershipi i asokohshëm i Kosovës në krye me Hashim Thaçin e bënë Vetëvendosjen dhe e lanë Albin Kurtin pa kauzë.

Kjo edhe është arsyeja kryesore pse Albin Kurti më pas u kap për kauzën e Bashkimit Kombëtar.

Të kthehemi edhe njëherë tek ideja e Vetëvendosjes. Në thelb të konceptit “vetëvendosje” qëndron ideja se njeriu duhet të vendosë vetë për vete.

E megjithatë, partia që bart këtë emër, deri më tash jo veç që fatin e Kosovës po e vendos bashkë me të tjerët, por e ka përjashtuar veten nga procesi jetik i negocimit.

Kështu, në proces e sipër ka ndodhë diçka edhe më e rëndë.

Derisa në dialogjet e deritanishme, Kosova ka qenë pjesë e negocimit të përmbajtjes së marrëveshjeve, me Vetëvendosjen, Kosova jo vetëm që nuk ka negocuar për draft statutin e Asociacionit, por e ka pranuar atë të gatshëm, të stilit “merre osë lëre”.

Kështu e ka pranuar edhe Planin Franko-Gjerman, për të cilin Kurti personalisht ka deklaruar se nuk ka gisht në hartimin e tij.

Derisa në të kaluarën kushtet e marrëveshjes janë negocuar nga vetë Kosova, me Albin Kurtin Kryeministër, vendi ynë fatin e tij e ka deleguar tek “Fuqitë e Mëdha”.

Paraardhësit e Kurtit arritën me sukses ta ruajnë parimin e vetëvendosjes edhe në formatin e negociatave, kurse Albin Kurti me sukses ka arritur ta zhbëjë këtë.

Në të kaluarën, vetëm përmes negocimit dhunohej e drejta e vetëvendosjes. Por sot ky Kryeministër e ka dhunuar më shumë se aq: ai ka pranuar diçka që as nuk e ka negocuar.

E nëse shikohen me kujdes marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, aty gjatë gjithë kohës flitet se Kosova do të draftojë statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kurse, me pranimin e Planit Franko-Gjerman, në nenin 7, Kurti është pajtuar që Kosova e Serbia bashkërisht do ta bëjnë Asociacionin.

Pra, me nenin 7, Kurti jo veç që e ka deleguar vendimmarrjen tek Franca e Gjermania, që sipas tij janë në kundërshti të plotë me konceptin e Vetëvendosjes, por edhe e ka bërë Serbinë bashkëhartuese direkte të statutit.

Kjo gjë është në kundërshti të plotë me marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015.

Sot koncepti i Vetëvendosje nuk gjen zbatim as në:

1)            Marrëveshje

2)            Negociata

3)            Organizatë

Sot sllogani vetëvendosje është vetëm një lëvozhgë që mbështjell një grumbull njerëzisht që kanë heq dorë nga çdo impuls i ruajtjes së pavarësisë individuale, kolektive e shtetërore.

Ky është pozicioni i robit, i skllavit dhe i një partie që ka hequr dorë nga çdo formë e dinjitetit dhe integritetit njerëzor.

Ky është niveli më i lartë i nënshtrimit, poshtërimit dhe shkeljes më brutale së vullnetit politik të Kosovës.

Kur Albin Kurti i akuzonte qeveritë e kaluara se “në negociata nuk mund të realizohet e drejta e Kosovës për pavarësi e shtetësi”, ai sigurisht thoshte diçka që nuk ishte e vërtetë.

Kështu, ai ishte duke vizatuar një portret të zymtë dhe po e shikonte atë si një humnerë të cilës nuk i shihej fundi, e ku sipas tij do të mbytej fati i Kosovës.

Sot, ai është Kryeministri i parë që nuk ka kërkesa, që nuk ka ulëse në tavolinën ku përcaktohet përmbajtjea e marrëveshjeve jetike për Kosovën.

Nuk ka shumë shembuj nga jeta ku gjen fuqi më të madhe shprehëse urtësia e Nieztsches: “Kur e shikon humnerën edhe ajo të shikon ty.”

Në kundërshti të plotë me të vërtetën, Kurti për kohë të gjatë ka folur sikur Kosova po zhytej në greminën e skëterrshme të asgjësimit. E megjithatë me të, kjo u bë përnjëmend realitet.

Kurti është bërë mishërim real i humnerës që nuk ekzistoi, por që ai e shpiki për të krijuar ankth e frikë kolektive.

E sot e drejta e Kosovës për të vendosur për vete është hedhur në fund të kësaj humnere që sot është reale. Në të po flaken një nga një të gjitha arritjet e deritanishme dhe përplasja e tyre kumbon në veshët tanë.

Por ç’rëndësi ka kjo për Albin Kurtin kur tash ai nga maja e pushtetit kujton me nihilizëm e pa nostalgji brohoritjet e dikurshme “Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje”?

Po të ishte i vendosur, ai sot nuk do t’i kishte zëvendësuar ato brohoritje me të qeshurat cinike të burokratit, për të cilin po thonë se në Bruksel ka nënshkruar edhe mindilin që ia kishte vendosur kamarieri në tavolinën e bukës.

Epo kështu e ka kujtesa muskulare, që është një formë e kujtesës që motorizon trurin përmes përsëritjes së veprimeve të njëjta. Kur një lëvizje përsëritet shpesh me kalimin e kohës, truri krijon një kujtesë afatgjatë të muskujve për ta kryer atë detyrë në mënyrë të pavetëdijshme.

Në këtë mënyrë, kur mësohesh të nënshkruash gjëra pa negocuar, nënshkruan çdo gjë që të del përpara.

Një proverbë tjetër thotë: “kur mendon se je çekan, çdo gjë të duket si gozhdë”.

Kështu, Kurti sot është bërë si një laps që nuk i reziston as presionit më të vogël për të nënshkruar çfarëdo që i servohet përpara.

Në fakt, aty e gjen shprehjen më vitale të ekzistencës së tij si laps në duart e atyre që vendosin fatin e Kosovës pa e pyetur Kosovën.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer