E enjte, 14 Nëntor, 2024

Edhe vëllezërit e të vrarit në Malishevë të dyshuar për rastin tragjik – Policia po i ruan te shtëpia

Djemtë e familjes Gashi nga fshati Balincë i Malishevës dhe ata të familjes Krasniqi nga Bubaveci u përfshinë sot në një konflikt verbal që përfundoi tragjikisht. Për shkak të një mosmarrëveshje, që dyshohet se lidhet me një borxh, njëri nga anëtarët e familjes Gashi dyshohet se e qëlloi Shkodran Krasniqin, rreth 30-vjeçar, duke e lënë të vdekur në vend, raporton Gazeta Sinjali.

Lidhur me rastin, Policia tashmë ka arrestuar katër vëllezërit Gashi, Kastriotin, Fatmirin, Xhavitin dhe Asdrenin, të cilët janë shoqëruar në stacion policor, ku edhe po kryhen procedurat e nevojshme në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

Përveç tyre, si persona të dyshuar janë edhe vëllezërit e viktimës, Qendrim Krasniqi, Labinot Krasniqi dhe Dardan Krasniqi, të cilët po ruhen nga Policia, në shtëpinë e tyre në Bubavec.

Lidhur me rastin, njësitë policore kanë kryer edhe bastisje, teksa është sekuestruar një armë zjarri dhe një automjet.

Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, tha Elezaj.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer