E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Editorial/ Tensioni politik në Skenderaj: Një rrezik i panevojshëm

Më pak se kurrë, sot Skenderajt i duhet tensionimi i situatës politike. Fatkeqësisht, kjo zonë, që nga paslufta, ka qenë shpesh terren i përshtatshëm për tensione politike, të cilat kanë sjellë pasoja tragjike për banorët e saj.

Editorial: Rajoni.org

Një ndër shkaqet kryesore të këtyre tensioneve kanë qenë akuzat dhe etiketimet, që shpesh i cilësojnë individë apo grupe si “shërbëtorë” ose “bashkëpunëtorë të Serbisë.” Këto akuza, përveç se denigruese, janë tejet të rrezikshme, pasi prekin plagët ende të hapura të luftës që ka përjetuar ky vend. Të etiketosh dikë publikisht në këtë mënyrë jo vetëm që përbën denigrim, por edhe veprim të dënueshëm penalisht, pavarësisht se për kë bëhet fjalë.

Së fundmi, në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, këto tensione janë nxitur nga grafitet e shkruara kundër Kryetarit të Komunës, Fadil Nura, dhe Drejtorit të Prokurimit, Haxhi Bejta, duke i cilësuar ata si “shërbëtorë” të Serbisë. Pavarësisht gabimeve ose mangësive që mund të kenë në punën e tyre, një cilësim i tillë është i padrejtë, i dënueshëm dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm.

Kjo situatë jo vetëm që tensionon tej mase klimën politike në Drenicë, por nuk i sjell dobi askujt – as komunitetit, as subjekteve politike, dhe as individëve të përfshirë. Është koha për maturi dhe përgjegjësi, në mënyrë që Skenderaj të mos mbetet peng i retorikave të dëmshme, por të përqendrohet në votimin e atyre kandidatëve që këtë trevë e qojnë përpara, sepse këtë e meriton ky popull.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer