Ekipet e “Xhenios” të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë nisur ndërtimin e urës mobile në fshatin Aqarevë të Skenderaj e cila u dëmtua gjatë vërshimeve në muajin janar.
FSK-ja bën të ditur se ura do të jetë e gjatë 27 metra dhe pritet të përfundojë brenda 10 ditëve.
“Në kuadër të bashkëpunimit dhe mbështetjes ushtarake për Autoritetet Civile, ekipet e Xhenios së Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet e komunës së Skenderajt kanë filluar montimin e urës mobile ushtarake “Mabey Johnson” në fshatin Aqarevë, ku në vërshimet e fundit ura në këtë fshat ishte dëmtuar dhe ishte bërë e pakalueshme” thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Skenderaj ishte komuna më e goditur nga vërshimet e janarit dhe ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së patën ndihmuar në evakuuimin e banorëve.