Kryetari i Komunës së Malishevës dhe kandidat për një mandat tjetër, Ekrem Kastrati, ka vizituar sot fabrikën e letrës “Orto Paper” në Mirushë, e cila është një ndërmarrje e suksesshme jo vetëm në tregun vendor, por edhe me eksporte në vendet europiane.
Gjatë vizitës, Kastrati përgëzoi menaxhmentin dhe punëtorët për punën e tyre të palodhshme, duke theksuar rolin e rëndësishëm që kjo fabrikë ka në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit në komunë.
“Si kryetar komune, i sigurova se do të vazhdojmë t’i mbështesim përmes granteve dhe subvencioneve komunale, me qëllim që të fuqizojmë prodhimin vendor dhe të hapim më shumë vende pune,” u shpreh Kastrati.
Vizita e tij nënvizon angazhimin e Komunës së Malishevës për të forcuar ekonominë lokale dhe për të përkrahur bizneset që kontribuojnë në zhvillim dhe mirëqenie.