Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën ‘Azem Bejta’ në Skenderaj, ku policia ka ndalur për kontroll dy persona të moshës se re.
Burimet e rajonit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se persona që po lëviznin me automjet, janë kapur me substanca narkotike, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Dy të rinjët janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.