Ish-drejtori komunal i Agim Bahtirit, i cili është edhe familjar i këtij të fundit, Naser Muja, raportohet nga mediat së pritet të jetë drejtor në Komunën e Mitrovicës, transmeton rajoni.org.
Siç raportohet nga mediat, Naser Muja do ta marrë një drejtori të rëndësishme në Mitrovicë.
Naser Muja ka të ngritur aktakuzë nga prokuroria
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 7 qershor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Naser Mujës dhe Fisnik Ibrahimit, me arsyetimin se në korrik të vitit 2018, në Mitrovicë, si zyrtarë, të pandehurit me dashje në kundërshtim me nenin 1, par.1 pika 1.4 dhe nenin 3 të Ligjit për Shpronësimin e Pasurisë së Paluajtshme nr. 03/L-139, kanë filluar punën në ndërtimin e rrugës në fshatin Suhodoll, në gjatësi totale prej 500m, pa u kryer të gjitha procedurat ligjore për fillimin e ndërtimit të rrugës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Naser Muja në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Sherbime Publike në Komunën e Mitrovicës dhe i pandehuri Fisnik Ibrahimi si menaxher i projektit, nuk kishin marrë pëlqimin e pronarit të paluajtshmërisë që ndodhet afër rrugës në të cilën kishte filluar ndërtimi, kështu që punimet ishin ndërprerë, dhe se të dëmtuarit R.Z., i është shkaktuar dëm në pronën e paluajtshme, ndërsa kontraktorit “Bajraktari” SHPK – Maxhunaj i është paguar shuma në vlerë prej 10 mijë e 480 euro e 50 centë, dhe në këtë mënyrë i është shkaktuar dëm Ministrisë së Zhvilimit Rural dhe buxhetit të Republikës së Kosovës.
Me ketë, Muja dhe Ibrahimi, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.