Një ekspozitë e re kushtuar Marilyn Monroe është hapur në Londër duke shfaqur një sërë sendesh personale që dikur i përkisnin yllit të Hollivudit.
“Marilyn-The Exhibition” paraqet një përzgjedhje të fotografive, letrave dhe dokumenteve të aktores nga kompania e saj e prodhimit të filmit, si dhe veshje dhe produkte bukurie midis 250 artikujve të ekspozuar.
Ato vijnë nga koleksioni privat i kuratorit Ted Stampfer, i cili tha se ai ishte tërhequr nga “qëndrimi e karizma e Monroe”.
Ideja për këtë ekspozitë nuk ishte vetëm që të paraqiste objekte në vitrinë, por edhe anën sentimentale të Marilyn që askush nuk e njeh. Ekspozita tregon jetën e aktores që nga fëmijëria e saj e vështirë për t’u bërë një nga fytyrat më të famshme të Hollivudit me filma si “The Seven Year Itch”, “Some Like It Hot” dhe “Gentlemen Prefer Blondes”.
Monroe personifikoi gruan e bukur dhe joshëse te viteve 1950. Marrëdhëniet e saj personale përfshijnë martesat me lojtarin e bejsbollit Joe DiMaggio dhe dramaturgun Arthur Miller si dhe një lidhje të përfolur me presidentin e SHBA John F.Kennedy.
Problemet personale dhe sëmundja duket se e zbehën bukurinë e saj vitet e fundit. Ajo vdiq në vitin 1962 nga një mbidozë, në moshën 36-vjeçare.
“Marilyn-The Exhibition”, e cila zhvillohet në Arches London Bridge, do të zgjasë deri në shkurt.