Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar sot Ismail Dibranin në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Vendimi për emërimin e Dibranit në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së u morr sot gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
“Për pozitën drejtor i përgjithshëm kanë aplikuar katër kandidatë. Pas testit me shkrim dhe intervistave, propozoj Ismail Dibranin për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, deklaroi ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla.
Dibrani që nga prilli i këtij viti ishte ushtrues i detyrës së drejtorit të ShKK-së ndërsa para se të bëhej UD kishte mbajtur pozitën e drejtorit në Burgun e Dubravës.