Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimet e pasurive për zyrtarët publikë, të cilët kërkohet me ligj ta bëjnë një gjë të tillë.
Në mesin e tyre është edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Formulari i dorëzuar nga Atiq është i kategorizuar te deklarimet e kryetarëve të komunave, mirëpo ai si pozitë primare e deklaron atë të këshilltarit politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
E, i njëjti formular figuron edhe te kategoria e stafit të MPB-së.
Mirëpo, çudia me deklarimin e tij të pasurisë nuk përfundon këtu.
Erden Atiq deklaron se pozitën e këshilltarit politik në MPB e mban që nga 03.08.2022, por në vitin 2024 të njëjtën nuk e kishte deklaruar fare.
Më 2023, Atiqi deklaronte se për këtë pozitë merr 6000 euro në vit, kurse në deklarimin e sivjetmë të pasurisë, i njëjti nuk deklaron fare të hyra për këtë pozitë.
Për pozitën e kryetarit të komunës, të cilën e mori më 19.05.2023, Atiqi deklaron se merr pagë 1,204 euro në muaj.
Pasuri të paluajtshme, kryetari i Mitrovicës së Veriut ka deklaruar vetëm një banesë të trashëguar nga prindi, të cilën e ka vlerësuar në 22 mijë euro. I njëjti ka të deklaruar edhe një kredi prej 1500 eurosh, ndaj të cilës ka detyrim edhe 500 euro të papaguara.
Kurse bashkëshortja e tij del të jetë e punësuar në një shkollë private për gjuhë të huaja, nga ku paguhet 2,970 euro.
Klankosova ka kontaktuar Atiqin për të marrë një qëndrim sqarues në lidhje me këto anomali në deklarimin e tij të pasurisë, por i njëjti deri në publikimin e këtij shkrimi nuk iu është përgjigjur as thirrjeve e as mesazheve.