Pasi nuk arriti të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, Sylejman Meholli, tani po synon një pozitë të re, atë të drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka publikuar listën e kandidatëve që kanë plotësuar kushtet sipas konkursit për drejtorë të disa spitaleve në vend. Ndër ta është edhe Meholli, i cili garon për drejtimin e spitalit në qytetin e tij.
Për këtë pozitë është në garë edhe Shefkije Shatri, një tjetër kandidate që ka kaluar fazën përzgjedhëse fillestare.
Kandidatët që kanë plotësuar kriteret e konkursit do të thirren në fazat e tjera të testimit. Gazeta Insajderi do të vazhdojë të ju informojë për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë proces.
Sylejman Meholli kishte kandiduar për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2019. Por, nuk arriti t’i siguroj votat e mjaftueshme.
Ai aktualisht është asamblist komunal nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetar i degës në këtë komunë.