Për takimin e deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ka folur sot Përparim Gruda, anëtari i Kryesisë së PDK-së.
Personalisht, ai e ka cilësuar si veprim të gabuar të deputetit Berisha, teksa ka thënë se për qëndrimin e PDK-së lidhur me këtë takim duhet pyetur udhëheqja e partisë.
“Unë mendoj që kjo pyetje duhet t’i drejtohet kryetarit ose dikujt nga struktura kryesore udhëheqëse e PDK-së. Nuk mund të flas në emër të PDK-së, por personalisht mund të them që është një gjë e gabuar që e ka bërë deputeti” – tha Gruda.
Ambasadori Berishaj dyshohet për tri vepra të ndryshme penale, të cilat janë “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Deputeti Berisha është takuar me ambasadorin para disa ditëve në Zagreb, ku deputeti ka qenë i ftuar nga Fakulteti i Studimeve Kroate i Universitetit të Zagrebit, në simpoziumin shkencor ndërkombëtar me titull “Rëndësia e kujtesës evropiane për të ardhmen evropiane – Krimet komuniste”.
Aty Berisha tha se takoi edhe ambasadorin Berishaj, i cili sipas tij, kishte organizuar “një pritje përtej protokollit diplomatik bashkë me stafin e Ambasadës, Atasheun Shpend Zogaj”.
“Një pritje vëllazërore dhe bashkëbisedim nga aty ku ka mbetur, për të mirën e kombit, shtetit dhe historisë. Natyrisht, për punën e mirë në shërbim të vendit dhe avancimin e statusit të shqiptarëve në këtë shtet aleat. Pesha intelektuale dhe akademike e diplomatit e ngrit edhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit. E në këtë korelacion, autoritetin dhe nderin i ke në nivelin më të lartë të vlerësimit” – u shpreh deputeti i PDK-së.