Gjysma e gushtit saktësisht është sot, që i bie thuaja dy të tretat e stinës së verës tashmë kanë ikur. Dhe, rëndom, së paku deri sivjet, kjo kohë nga bujqit, kopshtarët kosovarë po edhe nga qytetarët është llogaritur dhe vlerësuar si piku i verës dhe koha kur edhe në kosovë, “arrijnë” produktet bujqësore tonat, veçmas perimet (domatja, speci, qepët, karrota, spinaqi, lakra, salatat e ndryshme etj).
Pra, gushti, e sidomos gjysma e këtij muaji gjithmonë ka qenë një kohë e favorshme për furnizimin e familjeve kosovare me perime të stinës edhe nga importi edhe vendore me çmime të pranueshme dhe të arsyeshme, sivjet nuk ka qenë aspak kështu. Ende në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe shitoret e specializuara, në marketet dhe supermarketet, që tregtojnë produkte bujqësore, vazhdojnë të mbajnë çmime të shtrenjta të perimeve dhe jo rrrallë edhe të pakapshme për mundësitë blerëse të kosovarëve shumicë.
Për shkak të çmimeve të larta të produkteve bujqësore, sidomos të perimeve dhe të pemëve, sipas fjalëve të tregtarëve, por edhe të prodhuesve, këto ditë, por edhe në javët dhe muajt e fundit ka shumë pak shitblerje të këtyre produkteve dhe qarkullim të parasë në tregjet tona të gjelbra. Në këto ditë, por edhe siç rrëfejnë tregtarët në Tregun e gjelbër kryesor të Prishtinës, edhe tani e një muaj më përpara, është bërë thuaja i pa “kapshëm” për kosovarin e rëndomtë, atë me të ardhura mesatare dhe nën to, spinaqi, i kërkuar dhe i konsumuar me vite të tëra me shumicë nga qytetarët e këtij vendi. Është bërë ky perim i “pa qasshëm”, i paarritshëm për blerësit e shumtë, për shkak të çmimit enorm të tij, që tash e një muaj ka shkuar herë herë edhe në 7-8 e më shumë euro për një kilogram. Sot, dhe dy tre ditë më parë, sipas një tregtari, ndër të rrallët që tregtonte spinaq në shtandet brenda tregut prishtinas, ka rënë çmimi i këtij perimi dhe ai po shitet edhe nga 4, madje edhe 3,5 euro kilogrami. Por, edhe me këtë çmim, sipas tregtarit, nuk ka blerës.
Konsumatorët, të mësuar tash e një muaj me çmimin rekord të lartë të spinaqit (nuk ka ndodhur më parë asnjëherë që një kilogram spinaq të kushtojë 8 e më shumë euro), largohen, bile as që pyesin më për çmimin e tij. “Vetëm ndonjë mërgimtar ‘i përmalluar” vendos të blejë spinaq këtyre ditëve. Edhe në shitje në shtandet e tregut nuk ka spinaq. Sot, më duket, se gjithsej 2-3 tregtar kanë ekspozuar sasi fare të vogla të spinaqit për shitje”, thotë tregtari i vjetër.
Po pse po ndodhë kështu, kur dihet që janë muajt e verës dhe toka e Kosovës, kudo qoftë ajo, thuaja se, është e përshtatshme për kultivimin e këtij perimi? Tregtari përgjigjet shpejt: Nuk po duam të punojmë më tokën. Ata që ishin punëtorë të vërtetë dhe që ia dinin vlerën tokës, ose janë tashmë të pensionuar, ose kanë ikur jashtë vendit. Nuk ka mbetur gjithaq edhe kush të punojë. Prandaj janë këto çmime të larta. Pastaj, edhe prodhuesit e spinaqit, ata të rrallët, e kanë parë që në tregje nuk ka shumë konkurrencë për këtë perim dhe duan ta shfrytëzojnë momentin, këto janë shkaqe pse janë këto çmime kaq të larta, thotë për Buletinin Ekonomik, tregtari i moshuar në Tregun krysor të perimeve në Prishtinë.
Por, edhe çmimet e perimeve të tejra të prodhuara në tokat e bujqëve dhe kopshtarëve vendas, sidomos sallata e gjelbër (70 centë për një copë), karrota 1 euro kilogrami, patatja 80 centë deri në 1 euro për kilogram, domatja 80 centë deri në 1,5 euro kilogrami, karakterizohen si të kushtueshme dhe me çmime thuaja dyfish më të larta se në stinën e vjetshme të verës.