Qeveria e Kosovës këto ditë ka bërë të ditur se do të ndërtojë një fabrikë të municionit, e cila, sipas qeverisë, do të jetë ndër më të avancuarat në Europë . Ky projekt është cilësuar si një nga më të rëndësishmit për ushtrinë e Kosovës dhe është pritur mjaft mirë nga opinioni publik, shkruan rajoni.org.
Të gjithë kanë pritur që kjo fabrikë do të ndërtohej në Skenderaj, pasi më parë ka ekzistuar një e tillë, ka gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe është pronë e ish-kombinatit “Trepça”. Me këtë projekt, qeveria do të ndihmonte, qoftë edhe pak, ringjalljen ekonomike të Drenicës dhe do të ndalte largimin e të rinjve nga kjo trevë.
Pra, të mos investosh në një vend ku më parë ka qenë fabrika e municionit dhe të mos ndihmosh këtë rajon, i cili ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës, por në vend të kësaj ta ndërtosh fabrikën në Pejë, është një veprim i pakuptimtë dhe i gabuar nga kjo qeveri – në mos edhe diskriminues.
Ky vendim u jep argument shtesë të gjithë atyre që e quajnë këtë qeveri “anti-Drenicë” dhe që pretendojnë se, për shkak të inateve politike, ajo po e lë këtë rajon pa investime. Po ashtu, forcon zërat që thonë se kryeministri Kurti po e shfrytëzon familjen Jashari vetëm për përfitime politike, pasi, kur vjen puna te investimet, ai nuk e përkrah Drenicën – sikurse në rastin e kësaj fabrike, e cila, sipas tyre, po i shmanget këtij rajoni për arsye të paqarta./Rajoni.org/