Në ditën e dytë të ngushëllimeve të familjes Thaçi, ka vazhduar të ketë numër të madh të qytetarëve, për të ndarë dhembjen me familjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për vdekjen e babait të tij, Haxhi Thaçi.
Në krah të vëllezërve Thaçi, në pritje të qytetarëve, sot është parë edhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.
Edhe nënkryetari Sami Lushtaku, që njihet si mik i afërt i Hashim Thaçit, ka qenë afër familjes Thaçi, në pritje dhe përcjellje të qytetarëve.
Haxhi Thaçi vdiq të dielën e kaluar, ndërsa komuna e Skenderaj kishte organizuar një ceremoni mortore me përmasa madhështore. Hashim Thaçi, që po vazhdon paraburgimin në Hagë, nuk u lejua të marrë pjesë në varrim.
Mbledhja komemorative e mbajtur në palestrën “Ilaz Kodra” dhe ceremonia e varrimit për të ndjerin, ishin dy ngjarjet kryesore të ceremonisë mortore.
E pamja ndërkaq po mbahet në palestrën Ilaz Kodra, nga dita e djeshme dhe do të vazhdojë edhe të premten.