Tuesday, March 18, 2025

Fadil Nura propozon që gazetarit britanik Vaughan Smith t’i ndahet titulli “Qytetar Nderi” i Skenderajt

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, më 17.03.2025 i ka propozuar Kuvendit Komunal për miratim vendimin për shpalljen e gazetarit britanik Vaughan Smith “Qytetar Nderi” i Skenderajt.

Sipas propozimit, titulli “Qytetar Nderi” i ndahet video-gazetarit britanik Vaughan Smith në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë në pasqyrimin e realitetit dhe sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për luftën e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi, si: pasqyrimin e Epopesë së UÇK-së në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Masakrës së Abrisë, filmimin e intervistës me heroin Fehmi Ladrovci, incizimin e parashutistëve britanikë gjatë ndërhyrjes se NATO-s në Kosovë, si dhe realizimin e filmit të njohur për luftën e Kosovës, i titulluar “The Valley”, i cili mbetet një nder dokumentarët me të vlerësuar.

Në propozimin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se ky titull do t’i ndahet Smith në seancën solemne të Kuvendit të Komunës së Skenderajt, e cila pritet të mbahet më 18 qershor 2025, në përvjetorin e çlirimit të Skenderajt.

Ky nderim gazetarit Smith pritet t’i bëhet pas rrëfimit të tij në emisionin “Kallxo Përnime” për përvojën e tij gjatë luftës në Kosovë.

Vetura të cilën Vaughan Smith e përdori kur raportoi për ngjarjet gjatë luftës në Kosovë është pjesë e ekspozitës “Reporting House” e lansuar më 10.06.2024 në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

Në vitin 2022 gazetari i njohur britanik Vaughan Smith u shpall “Qytetar Nderi” nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Gjatë viteve 1990, Vaughan punoi si kameraman i pavarur i vlerësuar me çmime dhe gazetar video-lajmesh duke mbuluar luftërat dhe konfliktet në Kosovë, Irak, Afganistan, Bosnjë e Hercegovinë, Çeçeni e gjetkë.

Vaughan Smith u qëllua në celularin e tij teksa filmonte ekskluzivisht masakrën e kryer nga forcat serbe në Prekaz.

Smith organizoi dhe filmoi intervistën e parë me një pjesëtar pa maskë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci.

Ai filmoi Masakrën e Abrisë dhe pasi kishte hyrë fshehurazi në Kosovë nga Maqedonia regjistroi Regjimentin Britanik të Parashutistëve që arriti në Kosovë me helikopterë gjatë ndërhyrjes së NATO-s.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer