Komuna e Mitrovicës, nën udhëheqjen e kryetarit Faton Peci, ka dhënë tenderin e parë që nga fillimi i mandatit të tij. Kontrata e lidhur ka të bëjë me mirëmbajtjen higjieniko-sanitare të objektit të komunës dhe institucioneve vartëse dhe u dha me negocim.
Vlera e kontratës është 36 mijë e 481 euro.
Kompania e shpërblyer është “MBUROYA SH.P.K”.

Kjo kontratë publike ka kohëzgjatje prej 3 muajve.
“Kontrata e negociuar do të ndërpritet në rast se autoriteti kontraktues lidhë një kontratë të rregullt për realizimin e shërbimeve para përfundimit të periudhës 3 mujore“, thuhet në dosje, shkruan Insajderi.
Sipas përshkrimit të kontratës, parashihet angazhimi i punëtorëve ekzistues (pastruesve) për mirëmbajtjen e higjienës në objektet e Komunës së Mitrovicës dhe në institucionet tjera.
“Punëtorët do të punojnë 8 orë në ditë, përkatësisht 40 orë në javë. Numri minimal i punëtorëve të angazhuar do të jetë 22, si dhe një (1) menaxher me pagë minimale bruto, sipas legjislacionit në fuqi ose vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me pagesën e të gjitha kontributeve, trustit dhe taksave përkatëse”.
Po ashtu, në çerdhet e fëmijëve parashihet dezinfektimi mujor i dyshemeve të korridoreve, me qëllim parandalimin e infeksioneve dhe sëmundjeve tek foshnjat dhe fëmijët.

Në anën tjetër, në njoftimin për dhënien e kontratës nuk është dhënë asnjë arsyetim se pse tenderi është dhënë përmes procedurës së negociuar, pa publikimin e njoftimit për kontratë.
Çka thotë ligji?
Ndonëse në vend ekzistojnë disa kompani që ofrojnë shërbime të mirëmbajtjes së objekteve, Komuna ka kufizuar konkurrencën në këtë kontratë, duke mos u dhënë mundësi operatorëve të tjerë ekonomikë të paraqesin ofertat e tyre përmes procedurës së hapur.
Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, kontratat njëburimore apo procedurat e negociuara lejohen vetëm në raste të veçanta, kur plotësohen kushte të caktuara ligjore.
Ndër këto kushte, sipas nenit 35 të ligjit, përfshihen rastet emergjente kur nuk ka kohë për ndjekjen e procedurave të zakonshme, ose kur ekzistojnë arsye të veçanta teknike apo artistike që justifikojnë përzgjedhjen e një operatori të caktuar ekonomik.
Ligji specifikon se procedura e negociuar mund të përdoret vetëm në këto raste:
- Nëse, për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet t’i jepet një operatori të caktuar ekonomik;
- Nëse, për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale apo industriale, ose të drejtave ekskluzive, kontrata mund t’i jepet vetëm një operatori të caktuar ekonomik;
- Nëse, për arsye të emergjencave ekstreme, të shkaktuara nga ngjarje objektivisht të verifikueshme dhe të paparashikueshme nga autoriteti kontraktues, nuk mund të respektohen afatet kohore të procedurave të tjera të parashikuara me ligj.
Ndryshe, Faton Peci më 12 dhjetor ka dhënë betimin dhe ka marrë zyrtarisht detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar./insajderi.org/