E martë, 26 Nëntor, 2024

Faton Peci e rehaton në pozitë të Ministrisë së Bujqësisë kolegen e tij Majlinda Qerkini

Një konkurs i hapur pune në Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka rezultuar me kalimin e vetëm të një kandidati në testin me shkrim për pozitën “Zyrtar Ligjor” në Departamentin Ligjor të kësaj ministrie. Nga 30 kandidatët që i ishin nënshtruar këtij lloj testimi për këtë pozitë, vetëm Majlinda Qekini, ish-asistente e Presidentes Vjosa Osmani ka arritur ta kalojë me sukses atë.

Ministria e Bujqësisë me 28 tetor 2024 ka njoftuar se në testimin me shkrim për konkursin për zyrtarë ligjorë në dikasterin e udhëhequr nga Faton Peci i Listës Guxo, vetëm një kandidate ka rezultuar e suksesshme.

Ajo është Majlinda Qerkini, ish-kolege dhe e afërt me kryetarin e Listës Guxo, Faton Peci, njëherit Ministër në Ministrinë ku e apostrofuara po pritet të punësohet si shërbyese civile.

Në dokumentin e Periskopit shihet se për këtë pozitë kanë aplikuar gjithsej 62 kandidat, prej të cilëve vetëm 30 i janë nënshtruar procedurës së testimit, të cilën arriti ta kalojë vetëm kolegia e Faton Pecit.

Ndërsa në një dokument të publikuar nga Gazeta Reporteri shihet njoftimi i Ministrisë së Bujqësisë, për pranimin e vetëm një kandidateje për pozitën “Zyrtar Ligjor” në Departamentin Ligjor të kësaj ministrie.

Majlinda Qerkini në periudhën kur Vjosa Osmani ishte Kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka qenë asistente personale e themelueses së Lista Guxo, e cila më vonë u shndërrua në parti politike që sot drejtohet nga Peci dhe Donika Gërvalla.

Gjatë kohës kur kandidatja Qekini ka qëndruar në kabinetin e Osmanit, ministri i Bujqësisë kishte qenë shef i kabinetit të saj.

E pyetur nëse njohja e mëparshme me Ministrin Peci, ka ndikuar që Qerkini të jetë më e suksesshmja në konkursin për “Zyrtar Ligjor” në MBPZHR, e njëjta të enjten ka mohuar të ketë njohje me të, pasi sipas saj, ka pasur vetëm raport kolegial me tash ministrin.

Jo, jo absolutisht kurrfarë lidhje nuk e kam me Faton Pecin. Atë e kom pas koleg, se ka qenë dhe shef i kabinetit, por absolutisht tjetër kurrfarë lidhje me të dhe nuk e kam takuar që gati katër vite, prej se e kam lënë punën në Kuvend“, tha Qerkini, për Reporterin.

Madje ajo shtoi se ka shkëputur çdo komunikim me gjithë kabinetin e tashmë ish-kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot presidente e vendit që së fundi nuk është se i ka raportet “në ditët me të mira” me drejtuesit e partisë që e ka themeluar vetë.

Unë e kam shkëputur çdo lloj komunikimi me gjithë kabinetin e ish-kryetares Kuvendit. Unë as nuk kam vazhdu tutje në Presidencë, absolutisht hiç-hiç, në fushën politike nuk kom pas dëshirë me pas punë me askënd“, tha Qerkini, kandidatja e vetme e suksesshme për konkursin “Zyrtar Ligjor” pranë Ministrisë së drejtuar nga Faton Peci.

Ish-kolegeja e Pecit në Kuvend, e cila është “në rrugë të mirë” të punësimit në Ministrinë që drejtohet nga ai, gjithashtu mohoi se është anëtare e Partisë Guxo.

Jo, absolutisht nuk jam pjesë asnjë partie“, tha Qerkini.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, procedurat rekrutuese i takojnë Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, dhe se Ministria si sheh kandidatët si emrat të përveçëm.

Në përgjigjen e thuhet se Kushtetuta ia mundëson secilit qytetarë ta gëzojë të drejtën e zgjedhjes dhe të zgjidhet.

Procedurat rekrutuese i realizon Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore ku vazhdimisht ka pozita të hapura për rekrutim sipas nevojave të institucionit. Institucioni ynë nuk i sheh kandidatët si emra të përveçëm për të cilët duhet hetuar mbi të kaluarën e tyre dhe liritë politike. Secili nga ata kanë mekanizmat e dëshmimit të përvojës së punës sipas legjislacionit në fuqi. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ia mundëson secilit ta gëzojë të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. E rëndësishme është që askush të mos diskriminohet as pozitivisht e as negativisht në këtë aspekt“, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Konkursi për zyrtarë ligjor në Ministrinë e Bujqësisë ishte hapur me 30 gusht 2024 dhe ka zgjatur deri më 28 shtator 2024. Në konkurs kishin aplikuar 62 kandidatë gjithsej, prej të cilëve 47 i plotësuan kriteret.  Testit me shkrim të cilin e kaloi veç Qerkini iu nënshtruan 12 prej kandidatëve. Derisa intervistimi me gojë i kandidates nuk është caktuar ende.

Në javët e fundit mediat kanë raportuar raste të ndryshme kur persona të afërt me Pecin dhe partinë e tij janë rehatuar me punë të shtetit në Ministrinë e tij dhe atë të Donika Gërvallës. Punësimet partiake po ndodhin ndërkohë që vendi po përgatitet për zgjedhjet e rregullta parlamentare të cilat janë caktuar të mbahen pas 3 muajve, më 9 shkurt 2023.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer