Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci kishte bërë një reagim publik më 30 janar në lidhje me konkursin e hapur nga kompania regjionale për menaxhimin e mbeturinave “Uniteti” për kryeshef ekzekutiv, duke thënë se nuk do të lejoj që Skenderaj me vetëm 10% të aksioneve ta zgjedh drejtuesin e kësaj ndërmarrje lokale.
Dy javë pas këtij reagimi të kryetarit Peci, sot në KRM “Uniteti”, ka pasur zhvillime të reja, ku Bordi i ndërmarrjes me shumicë votash i ka vazhduar mandatin edhe për 3 vite Zëvendëskryeshefit ekzekutiv dhe Sekretarit të ndërmarrjes, dy këto pozita më të lartat pas kryeshefit ekzekutiv.
Veriu.info mëson se dy zyrtarëve lartë të kësaj ndërmarrje që sot iu është vazhduar mandati janë nga Skenderaj dhe janë të afërt me kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku.
Ndryshe, në bazë të konkursit të shpallur muajin e kaluar sot ishte afati i fundit për aplikim për pozitën kryeshef ekzekutiv në KRM “Uniteti”, ku në ditët vijuese njëri prej aplikuesve pritet ta marrë mandatin 3 vjeçar të udhëheqjes së kësaj ndërmarrje lokale, aksionare të së cilës janë komunat: Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj.