Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka prezantuar një nga projektet më të shumëpritura dhe domethënëse për Vushtrrinë – transformimin e urës së Silnicës.
Projekti i titulluar “Rrethoja e Çelikut – Ura e Madhe e Silnicës”, realizohet me bashkëfinancim nga Komuna e Vushtrrisë dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal. Ky investim shënon një tjetër hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës së qytetit dhe pasurimit të hapësirave publike me vlera funksionale dhe estetike.
Ura që ndodhet pranë shëtitores “Enver Zymeri” do të marrë një pamje të re, moderne dhe të sigurt, duke u shndërruar në një pikë referimi për qytetarët e Vushtrrisë dhe vizitorët e saj. Ajo që i jep projektit një peshë të veçantë është koncepti arkitektonik, i frymëzuar nga Ura e Gurit – një simbol i trashëgimisë kulturore të qytetit. Kjo ndërthurje mes të kaluarës dhe së tashmes i jep urës së re një identitet të veçantë emocional dhe historik.
Ky projekt është një dëshmi konkrete se Vushtrria po ecën drejt një të ardhmeje më të ndritur, me infrastrukturë moderne, hapësira tërheqëse dhe kujdes për trashëgiminë.