Për një javë, krejt koncentrimi politik kapërceu përtej oqeanit. Figurat politike nga e tërë bota u bashkuan në New York për të folur e për të ngritur zërin për çështje globale në Javën e Asamblesë të Kombeve të Bashkuara (OKB). Kësaj ngjarje nuk i munguan as tri figurat kyçe të shtetit të Kosovës, të cilët shfrytëzuan rastin të zhvillojnë takime me homologët e tyre nga shtetet e ndryshme të botës.
Kosova nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara, por synim të kahmotshëm e ka që të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare. E, për të arritur një gjë e tillë i duhet një diplomaci e mirë që të fitoj përkrahje nga shtete e prijës të tyre, e sidomos të atyre që kanë rol më të madh.
Prania në këtë mbledhi madhore u dha mundësinë presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurtit dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz që të takojnë sa më shumë njerëz të rëndësishëm që ta shtyjnë këtë qëllim përpara- që Kosova të arrijë anëtarësimet në organizatat që mëton.
Ashtu siç edhe mund të pritej, qëndrimi në New York qe i mbushur me përplot takime dhe bashkëbisedime me presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm të shteteve të botës, me zyrtarë të rëndësishëm diplomatikë e me shumicë u zhvilluan takime me prijës të shteteve të vogla.
Për Kurtin dhe Gërvallën qëndrimi ishte pak më i shkurtër e për presidenten Osmani më i gjatë sepse shkoi më herët në New York, më saktësisht më 19 shtator. Ndërsa dy të parët shkuan rreth më shumë se një javë më vonë, më 25 shtator.
Për të analizuar mëtej takimet dhe diplomacinë që u bë përgjatë qëndrimit në New York të rrethuar me prijës shtetërorë nga shtete të ndryshme, mundësi që nuk vjen shumë herë për një mandat, KALLXO.com ka vërejtur me vëmendje takimet, bashkëbisedimet dhe diskutimet që mbajtën të tre politikanët kosovarë nga njoftimet që u bënë publike nga vetë ata dhe tri institucionet qendrore.
Çfarë ra në sy nga këto takime është se një numër i konsiderueshëm i bashkëbisedimeve u realizuan me zyrtarë të lartë shtetëror, takimet kryesisht me kryeministra, presidentë e ministra të punëve të jashtme të shteteve afrikane dhe vetëm një takim me shtete jonjohëse nga pesëshja e Bashkimit Europian.
Njohjet prej pesëshes Spanjë, Rumani, Sllovaki, Greqi dhe Qipro – Kosovës i duhen në mënyrë që t’i hapet rruga për anëtarësim në familjen e madhe europiane- BE.
Takime, diskutime e bashkëbisedime
Në New York liderët kosovarë mbajtën takime goxha në numër, por jo krejt të nivelit të lartë. Pati sekretarë të lartë të shtetit amerikan, ndërmjetësues të Bashkimit Europian e deri te shtetet e vogla anë e kënd botës.
Në mesin e shteteve jonjohëse nga pesëshja europiane – Osmani, Kurti dhe Gërvalla mbajtën takime vetëm me homologët nga Greqia. Përpos Qipros, të tjerat janë pjesë e NATO-s dhe njohja nga to i ndihmon Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.
Nga Greqia, Kurti dhe Osmani ndarazi kanë takuar kryeministrin Kyriakos Mitsotakis takim gjatë të cilit palët biseduan rreth avancimit të marrëdhënieve diplomatike dhe hapësirave për rritje të bashkëpunimit e angazhimit të dyanshëm. Edhe Gërvalla takoi homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis, që sipas ministrisë, të dy biseduan rreth forcimit të partneritetit mes dy vendeve dhe situatës së përgjithshme në Europë dhe në Ballkan.
Një copëz shpresë se Greqia do ta njoh Kosovën ishte ngjallë në vitin 2023, gjatë kohës kur kryeministri kosovar, Albin Kurti, pati shpeshtuar vizitat zyrtare në Athinë. Por, homologu grek i tij, Kyriakos Mitsotakis së voni zbehu optimizmin që ishte krijuar në Kosovë.
Seb Bytyçi, profesor në Universitetin e Winchesterit, thotë se takimet e çfarëdoshme janë të rëndësishme sepse Kosova duhet t’i mirëmbajë marrëdhëniet me shtetet që e kanë njohur ashtu sikurse duhet të krijojë kontakte të reja me shtetet që nuk e kanë njohur.
“Përveç këtyre takimeve duhet të ndodhin edhe vizita, mirëpo diplomacia është hendikepuar nga qasja e reduktimit të shpenzimeve me çdo kusht”- tha ai për KALLXO.com.
Sipas tij, qëllimi parësor duhet të jetë që shtohet numri i shteteve njohëse dhe të arrihet numri 2/3 të anëtarëve të OKB-së.
Synimi i institucioneve të Kosovës, sipas deklaratave të përsëritura nga krerët e shtetit, është që Kosova sa më parë të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, anëtar i NATO-s, si dhe vend i integruar në Bashkimin Europian (BE).
Gambia, Malawi, Mauritania, Kuvajti, Samoa, Guinea Bissau dhe Brunei, Andora, Grenada, Kuvajti, Luksemburgu, Singapori janë vetëm disa nga shtetet me liderët e të cilëve mbajtën takime Kurti, Osmani dhe Gërvalla.
Megjithatë, vlerësohet se sivjet, duket se ka pasur më shumë aktivitete diplomatike gjatë seancës vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Kështu vlerëson njohësi i politikës, profesori në Universitetin e Dublinit, Gëzim Visoka, i cili thotë se në veçanti, duket se në këtë sesion ka pasur aktivitete të shtuara diplomatike me instancat federale dhe në nivel shteti dhe qyteti brenda SHBA-ve, përfshirë diasporën.
Përndryshe, sipas Visokës, këto takime tregojnë një hapje graduale ndaj Kosovës në SHBA, por edhe interesim për Kosovën nga shtete të ndryshme anëtare të OKB-së.
“Në veçanti, duhet theksuar se disa vende që në të kaluarën e kanë çnjohur Kosovën, apo të paktën kështu janë paraqitur nga Serbia, duket se kanë rivendosur kontakte të hapura dhe produktive me Kosovën”- tha Visoka për KALLXO.com.
Visoka thotë se do të ishte mirë të bisedohet kthimi i njohjeve dhe të demantohet narrative serb për çnjohje, ngase Serbia ende aludon se Kosova është njohur nga më pak se gjysma e shteteve të OKB-së, gjë që nuk është e vërtetë.
“Ka dëshmi që shumë nga vendet e aluduara që kanë terhequr njohjen e Kosovës, në fakt e kanë kthyer njohjen dhe kanë vazhduar marrëdhëniet e rregullta diplomatike me Kosovën. Kështu që vizitat dhe takimet e fundit diplomatike të Kosovës jashtë vendit duhet shikuar si përpjekje për të kthyer në binar prezencën e Kosovës në planin ndërkombëtar”- shtoi Visoka.
Serbia edhe në të kaluarën ka pretenduar se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, sipas Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Kosovën që nga shpallja e pavarësisë më 2008, e kanë njohur 117 shtete. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte reaguar edhe në vitin 2020, kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
MPJD kishte deklaruar se nuk ka asnjë njoftim rreth pretendimeve se disa shtete e kanë tërhequr njohjen.
Bedri Emini, lobist i Kosovës në njëintervistë për ‘Jeta në Kosovë’ në vitin 2020, në kohën kur përflitej se po tërhiqen njohje si pasojë e fushatës së Serbisë, kishte thënë se shteti i Gambisë nga Afrika ka dashur ta tërheq njohjen e shtetësisë ndaj Kosovës. Pra, për një prej shteteve që liderët e Kosovës zhvilluan takim në New York.
“Presidenti i Gambisë moti e kish heq njohjen nëse nuk i kisha thënë unë. Jam shkuar në zyre të tij. Më tha që katër vjet e gjysmë se kam pa kurrkënd të Kosovës, as një urim s’e kemi marrë për Vit të Ri, as për krishtlindje”- kishte deklaruar ai në Jeta në Kosovë.
Sidoqoftë, Visoka vlerëson se këto takime duhet përcjellur me nisma dhe punë konkrete diplomatike për të prodhuar efekte të mira për vendin.
Marrëveshja e vetme e arritur në New York
Vetëm një marrëveshje është nënshkruar gjatë qëndrimit në New York. Donika Gërvalla kur u takua me homologun e saj lituanez, Gabrielius Landsbergis nënshkruan marrëveshje për evitimin e imigrimit ilegal, përmes ripranimit të personave që qëndrojnë pa autorizim në vendet përkatëse.
Në anën tjetër u mbajtën edhe diskutime dhe bashkëbisedime të cilat nuk janë të nivelit të takimeve.
Diskutimi më i lartë i presidentes Vjosa Osmani ishte me presidentin amerikan Joe Biden dhe bashkëbisedimi me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken; takimet më të larta ishin me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin, Drejtorin e Lartë për Europë në Shtëpinë e Bardhë, Michael Carpenter, me Ndihmës sekretarin e Shtetit Jim O’Brien, me Ndihmës sekretaren e Shtetit Dafna Rand dhe me Kryeshefen ekzekutive të MCC-së Alice Albright.
Kurti ishte takuar edhe kryeministrin e Andorrës, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit dhe kryeministren e Vanuatus.
Përndryshe në takim në Konsullatën e Përgjithshme, Kurti ka pritur Ndihmës Sekretarin për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien dhe emisarin e Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ku diskutuan për dialogun Kosovë-Serbi.
Takime tjera që zhvilloi Kurti janë me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, kryeministrin e Kroacisë, Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kryeministrin e Grenadës, dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Përveç disa takimeve të përbashkëta me Kurtin, Gërvalla ka takuar veçmas edhe homologët e saj nga Bahamas, Honduras, El Salvador dhe të Malawit.
Visoka thotë se për takimet vendet e vogla me kapacitete të limituar diplomatike, ngjarjet rreth seancës vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, janë koha dhe hapësira kur shumë shkëmbime diplomatike dhe marrëveshje bilaterale nënshkruhen.
Megjithatë, sipas tij, pjesëmarrja vjetore në New York është vitale për një vend si Kosova, por e pamjaftueshme.
“Për një vend si Kosova që është në mes të rrugës sa i përket integrimit të plotë në strukturat multilaterale dhe ndërkombëtare. Do të duhej të kishte aktivitete dhe vizita diplomatike të pandërprera. Vetëm duke performuar një diplomaci aktive, Kosova mund të komunikoj siç duhet qëndrimet e saj dhe të shtyj përpara interesat si shtet sovran dhe i pavarur”- shtoi ai.
“Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar”- ishte vetëm një nga zotimet me të cilat hypi në fron Qeveria Kurti 2, që me fjalë tjera do të thotë ngritja dhe jehona e emrit Kosovë nëpër botë. Katër vite pas, vendi nuk ka arritur ta sigurojë asnjë njohje të re, e as të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare më me nam të kësaj kohe.
Njohjet dhe organizatat ndërkombëtare kanë një emërues të përbashkët, rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë e vendit. Sa më shumë shtete që t’ia njohin shtetësinë Kosovës, rritet mundësia që shteti të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, gjithashtu të jetë më e mbrojtur nga faktori ndërkombëtar.