Pa dyshim, riangazhimi i Bylbyl Sokolit si kryetrajner i KF Drenica ishte një hap mjaft i qëlluar. Me këtë veprim, klubi tregoi se kur janë në pyetje interesat e qytetarëve – në këtë rast, të klubit – nuk ka vend për ndarje politike. Sepse nga kjo ndarje apo qasje përjashtuese, nuk mund dhe nuk duhet të pësojë askush, shkruan rajoni.org.
Rezultatet janë tashmë të dukshme: kuqezinjtë po dëshmojnë seriozitet në synimin e tyre për t’u rikthyer në elitën e futbollit kosovar.
Në anën tjetër, ndryshe nga shefi i tij, ky strateg i futbollit – njëherësh edhe deputet i VV-së – para pak ditësh në një emision televiziv bëri një vlerësim maksimal për gjendjen e klubit, duke theksuar se nga kryesia e deri te organizimi teknik, në Drenicë funksionon gjithçka në mënyrë perfekte. Ai veçoi edhe tifogrupin “Shqiponjat e Zeza”, të cilët sipas Sokolit janë ndër më të disiplinuarit dhe me kreativitet të lartë.
Pra, kjo situatë e krijuar mes klubit, që identifikohet me PDK-në, dhe deputetit të VV-së, Bylbyl Sokoli, mund të jetë një shenjë shprese që në të ardhmen sporti të shërbejë si urë bashkimi – ku përparësitë e qytetarëve dhe suksesi i përbashkët të vendosen mbi ndarjet partiake.