GJAKDERDHJE NË HEKURUDHË
Shkruan: Izet ABDYLI,
31 janar 2023
Me këtë titull e kisha nisur kronikën e datës 31 janar 1990, kur në demonstratat e organizuara në Gllogoc, me moton “Liri, pavarësi, demokraci”, u vranë tre të rinj dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Këtë shkrim pastaj e kisha botuar në revistën “Bashkimi” të fshatit Dobrashec, e që u dogj me shumë shkrime të tjera në bibliotekën time personale më 22 shtator 1998. Do të përpiqem, duke e kujtuar atë ngjarje, ta shkruaj edhe një herë të njëjtën kronikë.Në fillim të janarit 1990 revolta gjithëpopullore ndaj regjimit kriminal jugosllav kishte shpërthyer anekënd Kosovës përmes demonstratave dhe protestave paqësore. Edhe Drenica martire kishte ndezur flakadanët e kësaj revolte.
Kishte tri ditë rresht që në orët e mbrëmjes qindra të rinj e të reja marshonin drejt qendrës së Gllogocit me brohoritjet e tyre për liri, pavarësi e demokraci. Lumi i njerëzve nuk kishte të ndalur. Ata po zbritnin nga fshatrat e rajonit të Çiçavicës, Berishës, Kosmaqit e Carralevës, duke marshuar drejt qendrës komunale të Gllogocit. Tërë ai mllef i mbledhur me vite nga padrejtësitë, dhuna sistematike dhe shkelja e të drejtave elementare njerëzore e kombëtare, shpërtheu ditën e mërkurë të 31 janarit, ku qytetarë të të gjitha moshave, nxënës, studentë, punëtorë e bujq të bashkuar si kurrë më parë, vërshuan rrugëve të Gllogocit.
Ishin ditët kur komunizmi po jepte grahmat e fundit dhe njëri nga funksionarët e lartë serb kishte zbritur në komunë për t’i bindur strukturat politike të kësaj komune të mos dorëzohen. Ky ishte edhe një shkas më shumë që masa të ndizej duke kërkuar largimin e tij të menjëhershëm, për çka regjimit iu dash të angazhojë helikopter për ta shpëtuar, para se demonstruesit ta nxirrnin me dhunë nga objekti komunës. Forcat e mëdha policore po barrikadoheshin në vende kyçe të qytezës duke zënë pozita në gatishmëri sulmi.
Ndeshja ishte e pashmangshme. Dy palë gjendeshin ballë për ballë. Njëra duarthatë, me dy gishtërinj të ngritur lart, që kërkonte liri, pavarësi e demokraci, tjetra e armatosur gjer në dhëmbë, e gatshme për të hapur zjarr e për ta vrarë vullnetin e popullit për liri. Po kalonte mesdita dhe masa po ndizej. Dyluftimi ishte i pashmangshëm.
Demonstruesit kishin zënë pozicion në vendkalimin e hekurudhës, ndërsa vrastarët pranë trafos elektrike në distancë afro 150 metra. Provokimi i vrastarëve me rafalë të plumbave dum-dum dhe gaz lotsjellës bëri që turma të hedhë breshëri gurësh mbi ta, por së bashku me gazin lotsjellës vrastarët zbrazen edhe plumba vdekjeprurës. Së bashku me brohoritjet e demonstruesve për liri u dëgjuan edhe britmat e të rinjve: “Na vranë, na vranë fashistët”.
Dhjetëra të rinj si bari i kositur u shtrinë përgjatë hekurudhës duke skuqur gurët me gjakun e njomë. Në mesin e tyre edhe tri lulëkuqe lirie, tre dëshmorët e parë të demokracisë: Enver Hajriz Morina, Shani Ali Morina nga Çikatova e Vjetër dhe Sahit Shala nga Krajkova. Të plagosurve ashtu si mundën u ndihmuan qytetarët dhe një pjesë e demonstruesve që t’i bartin drejt ambulancës. Turma e ndezur dhe e revoltuar tej mase tashmë kishte mësyrë ndërtesën e komunës, ku helikopteri po bënte përpjekjen e fundit për tërheqjen e zyrtarit serb.
Breshëri plumbash e gaz lotsjellës po derdhej mbi demonstrues të cilët përkohësisht tërhiqen në oborret dhe shtëpitë afër komunës ku vendësit u ofrojnë ujë e qepë demonstruesve. Pas një këndelljeje demonstruesit sërish dalin në rrugën drejt Feronikelit, por goditen prapë me breshëri nga helikopteri dhe mezi gjejnë shpëtim duke u strehuar pranë mureve të drithnikut dhe nën vagon të hekurudhës. Një i ri zbraz disa fishekë nga revolja në drejtim të helikopterit, por pa sukses.
Ky veprim i tij i egërson më shumë vrastarët të cilët gjuajnë pa kontroll nga helikopteri dhe plumbat si breshër përplasen mbi asfalt. Këtë luftë të pabarabartë do ta ndalë terri i mbrëmjes. Ngadalë së bashku me terrin e mbrëmjes që po shtrinte pushtetin mbi Gllogoc, demonstruesit filluan të shpërndahen drejt shtëpive të tyre, me peshën e dhimbjes e pikëllimit për vrasjen e tre shokëve të tyre dhe plagosjen e dhjetëra demonstruesve, por të bindur se këtij regjimi do t’i vijë fundi dhe drita e lirisë do të vijë patjetër.
(Autori i këtij shkrimi ishte pjesëmarrës në këtë demonstrate)/rajoni.org/