Pas reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve që kanë përfshirë Drenasin, situata është rënduar edhe më tej, pasi qyteti ka mbetur pa furnizim me energji elektrike, shkruan rajoni.org
KEDS ka njoftuar se, për shkak të depërtimit të ujit në nënstacionin Drenas 220/10 kV, është ndërprerë rryma për arsye sigurie. Sipas njoftimit, uji ka hyrë në nënstacion dhe ka krijuar rrezik serioz për funksionimin e rrjetit elektrik.
Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe po veprojnë në koordinim për menaxhimin e situatës. Ndërkohë, ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë për ta rikthyer furnizimin me energji elektrike sapo të krijohen kushte të sigurta.
Kështu, përveç përballjes me ujin dhe pasojat e vërshimeve, qytetarët e Drenasit tani po përballen edhe me mungesën e rrymës, duke e bërë situatën edhe më të vështirë. KEDS ka bërë të ditur se qytetarët do të informohen me kohë për çdo zhvillim të ri.