Kryetari i Listës Ideal, Nuredin Lushtaku, së bashku me partnerët e koalicionit në krye me AAK-në, sot kanë mbajtur një konferencë për media, të fundit para nisjes zyrtarisht të fushatës zgjedhore.
Lushtaku i cili e nisi fjalën e rastit të tij duke falënderuar votuesit e Listës Ideal, tha se me formimin e këtij koalicioni, si Listë e kanë bërë zgjedhjen më të mirë.
Ai teksa e thumboi kryeministrin aktual, Albin Kurti, deklaroi se Kosova ka nevojë për njerëz që guxojnë të marrin vendime.
“Së pari i falënderoj votuesit e Idealit, që para tri viteve e kanë votuar Idealin në mënyrën më të mirë të mundshme. Lista Ideal e dimë të gjithë që është e formuar në krye me Bekim Jasharin atë kohë, sot e vazhdojmë ne. E ndjej vetën shumë mirë sot që jemi pjesë e këtij koalicioni, ku e kemi bërë zgjidhjen më të mirë, sepse mendoj që Kosovës sot i duhen njerëz që dinë me punu dhe guxojnë me marr vendime dhe jo me mbet Kosova peng e guximit të mosmarrjes së vendimeve”, tha Lushtaku.
Lushtaku tha se Haradinaj dhe Limaj janë të provuar, teksa rikujtoi sakrificat e tyre për lirinë e vendit, dhe jo vetëm.