Një 13-vjeçar që tregon në një video se si e vozitë veturën nga mosha 7-vjeçare dhe në të cilën shfaqen pamje të tij duke vozitur veturën në një fshat të Skenderajt, u publikua të premten, më 13.06.2025, në një rrjet social.
Në videon e publikuar, 13-vjeçari deklaron se ka vozitur veturën deri në shpejtësinë 168 km/h, ndërsa thotë se ka pasur rastin të vozis deri në Prishtinë dhe me të ka qenë babai i tij.
“Pak tutet [prindi], tutet a e din që më rrok dikush se edhe unë i vogël edhe nuk bon… Unë kam vozitë deri në Prishtinë, herën e dytë veç vet i kam grah [veturës] deri në Skenderaj, pak ma larg se në Skenderaj” – thotë 13-vjeçari në videon e publikuar.
Pas interesimit të KALLXO.com, Policia në Mitrovicë tha se e kanë identifikuar lokacionin dhe prindin e fëmijës, të cilin e kanë gjobitur.
“Njësitë policore në Skenderaj kanë identifikuar lokacionin dhe prindin e fëmijës, i cili shihet në video-incizimin e publikuar në rrjete sociale dhe ndaj tij është marrë masa ligjore, është shqiptuar gjobë për kundërvajtje e paraparë me dispozitat e Ligjit për rregullat dhe sigurinë në trafikun rrugor për mospërkujdesje ndaj fëmijës” – thuhet në përgjigjen e Policisë, më 14.06.2024.
13-vjeçari po ashtu deklaron se atë e kanë parë edhe shoqëria e tij duke vozitur, të cilët në fillim e kanë gjykuar, por shprehet se tani janë mësuar ta shohin duke vozitur veturë.
Sipas Ligjit, vozitësit e automjeteve duhet të kenë patent-shofer për çfarëdo kategorie të automjetit që drejtojnë. Patenta e shoferit lëshohet pasi kandidati ka arritur moshën e caktuar për automjetin që drejton dhe pasi vlerësohet me sukses në provimin me shkrim dhe atë praktik.
Në nenin 82 në Ligjin Nr. 05/L-064 për patent-shofer, përcaktohet që mosha minimale e personit për t’iu nënshtruar provimit për patent-shofer është 16 vjeç, edhe atë për disa kategori të automjeteve si motoçikleta, triçikleta. Kurse, për makinë deri në moshën 18-vjeçare.