E diel, 27 Tetor, 2024

Gjykimi për korrupsion, dëshmitarja flet për mendimin e dhënë për aktivitetin e prokurimit rreth aneks-kontratës që është objekt i akuzës

Mitrovicë –  Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të premten, në gjykimin ndaj Haxhimet Feratit në cilësinë e dëshmitares u dëgjua Florije Salihu, e cila foli për mendimin që e kishte dhënë për aktivitetin e prokurimit për ankes-kontratën objekt i akuzës.

Në këtë rast, Haxhimet Ferati, po ngarkohet se në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit Publik në Komunën e Mitrovicës, ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Salihu tha se ka qenë zyrtare ligjore pranë Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Prokurori Sahit Tmava e ka pyetur dëshmitaren se pasi është lidhur një aneks-konontratë me operatorin ekonomik NTP “Tropik” në të cilin ka pasur edhe kontratë kornizë trevjeçare, a ka pasur të drejtë i pandehuri të lidhë aneks-kontratë pas kalimit të periudhës trevjeçare.

Por, pyetjen e prokurorit Tmava e kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit Ferati, avokati Armend Shkoza, me arsyetimin se pyetja e tillë konsiston në vendim të ekspertit dhe se nuk ka të bëjë me gjendjen faktike.

Më pas, trupi gjykues vendosi që mos ta lejojë parashtrimin e kësaj pyetjeje, me arsyetimin se është e përgjithshme.

Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri ia kujtoi dëshmitares për mendimin të cilin ajo e ka dhënë në vitin 2019 lidhur me një aktivitet të Prokurimit në Mitrovicë.

Ai kishte të bëjë me një aneks-kontratën (objekt i akuzës) që është lidhur nga Komuna e Mitrovicës me një operator ekonomik në vlerë prej 220 mijë euro, dhe se aktiviteti është i viti 2014.

Dëshmitarja Salihu kërkoi që t’i shikojë interpretimet e bëra. Fillimisht nuk iu lejua, e më pas, prokurori  ia prezantoi asaj shkresat e përpiluara nga ana e saj.

Pasi i lexoi interpretimiet që i ka dhënë, deklaroi se qendron tërësisht pranë dokumenteve që i ka hartuar.

Dëshmitarja tha se kompetencat e KRPK-së kanë qenë interpretimi i dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik dhe legjislaconit dytësor të prokurimit publik, ofrimi i opinionit për autoritetet kontraktuese dhepër operatorët ekonomikë, në mungesë të dispozitave që e rregullojnë një çështje, si dhe këshillat për ecuritë e procedurave të prokurimit, duke u bazuar në Ligj.

Ajo tha se vërejtja “interpretimi i dhënë nga KRPK i referohet pyetjes së parashtruar nga ana juaj dhe asesi nuk i drejtohet aktivitetit të prokurimit” e cila ishte edhe në mendimin e saj, është shabllon që jepet në secilin interpretim të bërë nga zyrtarët e Departamentit Rregullativ.

Kjo sipas saj, me arsyetimin se zyrtarët nuk konstatojnë gjendjen faktike, por vetëm përgjigjen në pyetjet e parashtuara dhe se nuk i referohet aktivitetit të prokurimit.

Salihu tha se neni 35 i Ligjit të Prokurimit Publik flet për aneks-kontratat të cilat nuk guxojnë të kalojnë 10% të kontratës bazë, pra 10% lejohet për kontratat e rregullta, e jo për kontratat kornizë për të cilat nuk ka pasur dispozitë ligjore që e kufizon kontratën kornizë +/- 30%.

“Ne nuk jemi gjykatë, ne si KRPK kemi obligim vetëm të ofrojmë sqarime por nuk hyjmë ta gjykojmë rastin”, tha dëshmitarja Salihu.

Ndërsa, anëtari i trupit gjykues Leotrim Gashi e ka pyetur dëshmitaren nëse e-mailin të cilin e ka pranuar forward prej Avdyl Limanit, e i cili këtë e-mail e ka pranuar nga zyrtari policor Avdyl Hyseni, a i kujtohet se a kanë qenë të bashkëngjitura dokumentet, kur e ka dhënë mendimin përmes e-mailit.

Por, dëshmitarja tha se nuk i kujtohet.

Gjykimi në këtë rast filloi rishtazi për shkak se ndryshoi përbërja e trupit gjykues ku në vend të gjyqtares Marigona Lajqi është caktuar gjyqtari Leotrim Gashi.

Po ashtu, në këtë seancë janë administruar provat materiale.

Më pas, avokati Shkoza propozoi që i akuzuari Ferati ta japë mbrojtjen në seancë tjetër, ngase iu duhet të konsultohen.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2023, Haxhimet Ferati akuzohet se më 19 nëntor 2014, në pozitën e menaxherit të prokurimit publik pranë Drejtorisë së Prokurimit, në Komunën e Mitrovicës, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar autorizimet e tij, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të një dobie pasurore për vete ose tjetrin në kundërshtim me LPP nr. 04L-042, ka lidhur aneks- kontratë me Operatorin Ekonomik NTP “Tropik” me të cilin ka pasur kontratë kornizë trivjeçare. Detajet tjera nga aktakuza, i gjeni KËTU./ BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer