I mbrojtur nga shteti si vend që ka gjurmë që nga parahistoria, antikiteti i vonë e mesjeta, “Gjyteti i Syriganës”, lokalitet arkeologjik afër Skenderajt, jo fort larg Runikut të shquar po ashtu neolitik, tash rrezikohet prej një rruge të re për ta lidhur me bjeshkë. Autoritetet komunale dy herë kanë shpërfillur ligjin për trashëgimi duke e zgjeruar trasenë nëpër lokalitet, e punimet janë ndaluar në atë zonë. Përderisa për Komunën e Skenderajt rasti është i thjeshtë, krejt kjo do të përfundojë në gjykatë si kundërvajtje ose me kallëzim penal në Prokurori të shtetit
Midis dy shpateve, Komunës së Skenderajt nuk i ka mjaftuar një trase ekzistuese rrugore. Nuk i ka mjaftuar as një vendim që pavarësisht se në atë pjesë bëhet fjalë për lokalitet të mbrojtur arkeologjik, mund të shtrojë rrugë por me kubëza. Ka zgjeruar trasenë përtej hapësirës së lejuar, duke bërë që të cenojë lokalitetin arkeologjik shumështresor. Arkeologët kanë konstatuar se bëhet fjalë për një qytet, gjurmët e të cilit datojnë këtu e para tre mijë vjetësh. Për këtë njihet edhe si “Gjyteti i Syriganës”. Prej vitit 2016 mbrohet si lokalitet arkeologjik i parahistorisë, antikitetit të vonë e mesjetës. Në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme ka numrin rendor 3489.
Inspektimi e ndalimi i punimeve në zonën e mbrojtur janë bërë. Të martën, kur ekipi i KOHËS ka qenë në vendngjarje, punimet kanë vazhduar më lart. Tash po përgatitet raport mbi dëmet e shkaktuara. Krejt kjo do të përfundojë në gjykatë si kundërvajtje ose me kallëzim penal në Prokurori të shtetit.
Historia e Komunës së Skenderajt me lokalitetin arkeologjik “Gjyteti” në fshatin Syriganë tregon edhe qasjen e pushtetit lokal mbi trashëgiminë kulturore e relievin e asaj zone. Kodra sipër fshatit ka peizazh të pasur. Shihet si në shuplakë të dorës një pjesë e mirë e Rrafshit të Dukagjinit. Syrigana e ka afër fshatin Runik, po ashtu vendbanim neolitik, i njohur veçmas për okarinën, instrumentin unik pesë mijë vjet të vjetër i gjetur aty në vitin 1968.
Asfaltimi i rrugës Syriganë – bjeshkët e Syriganës nga Komuna e Skenderajt shkon mbi 800 mijë euro si vlerë monetare. Janë afro 4 kilometra. Hapësira në pjesë të tjera të Komunës për përmirësim të infrastrukturës rrugore ka me bollëk. Por Komuna ka vendosur që të çojë asfaltin maje bjeshke.
Por krejt këtë e ka ndërmarrë pa i bërë hesapet me institucionet e trashëgimisë kulturore. Vjet punimet kishin nisur pa kurrfarë konsultimi me Institutin Arkeologjik të Kosovës. Ligji për Trashëgimi Kulturore në raste të tilla kërkon miratim të projektit. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i kishte ndalur punimet. Më pas Komuna e kishte dërguar projektin për miratim në IAK.
Në ditën e 12-të të marsit të këtij viti, Komisioni Shqyrtues profesional i këtij institucioni kishte aprovuar kërkesën e Komunës, por me kushte.
“Brenda zonës mbrojtëse të mos ndërhyhet në thellësi, traseja të shtrohet me zhavorr ose me material reversibil (kubëza betoni)”, është njëri prej kushteve. Te kushtet e tjera kërkohet që të nisë puna në prani të arkeologut. Aprovimi i kërkesës është bërë për të shtruar rrugën ekzistuese “që përdoret nga banorët lokalë prej kohësh”, e cila kalon përmes zonës së mbrojtur.
Por Komuna dhe punëkryesi kanë vepruar ndryshe.
Krahas trasesë ekzistuese, shkresat tregojnë se është hapur trase krejtësisht e re me gjerësi deri në pesë metra. Pos kësaj gërmimet kanë shkuar deri në 1.2 metra thellësi duke nxjerrë në pah edhe qeramika të periudhave të ndryshme. Këtë e kanë konstatuar arkeologët që kanë dalë në terren.
Kurse Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore më 6 qershor në orën 11:00 i ka vënë shiritat dhe tabelën për ndaljen e punimeve në atë pjesë.
“Gjatë zbatimit të projektit nuk janë respektuar kriteret duke u ndërtuar një trase tjetër dhe në anën e djathtë të rrugës është zgjeruar rruga e cila është në perimetër të asetit të trashëgimisë kulturore”, shkruhet në procesverbalin e Inspektoratit. Punimet janë ndaluar deri në një tjetër vendim të Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Në Komunën e Skenderajt e kanë relativizuar krejtësisht situatën. Rrëfimi i tyre është i thjeshtë.
“Komuna e Skenderajt është duke e zhvilluar projektin kapital rrugor që lidh Syriganën me bjeshkët e Syriganës. Në kuadër të ndërtimit të rrugës është edhe një pjesë që është nën mbrojte si monument. Komuna ka kërkuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës që ta konstatojë gjendjen. Dhe, kemi marrë një pëlqim që zona e caktuar e cila është nën mbrojtje të trajtohet me kubëza, pra të mos asfaltohet. Dhe ajo pjesë është edhe më tutje nën mbrojte dhe ruhet me standardet e përcaktuara dhe projekti do të vazhdojë”, ka thënë Amir Lushtaku, zëdhënës i Komunës.
Në vitin 2012 ka qenë pikërisht Instituti Arkeologjik i Kosovës që kishte njohur vlerat që ka lokaliteti që po cenohet tash.
Sipas Hartës Arkeologjike të Kosovës, vëllimi i dytë, lokaliteti arkeologjik i njohur si “Gjyteti” ndodhet në anën veriore të fshatit afro 500 metra në afërsi të shkollës fillore në një kreshtë shkëmbore në trajtë cilindrike që ngrihet mbi kodër me pjerrtësi relativisht të theksuar. Sipas botimit të IAK-ut, sipërfaqja e kreshtës është relativisht e sheshtë dhe zë një hapësirë rreth 15 ari. Aty shkruhet se pjesa e kalueshme e terrenit shtrihet në anën lindore dhe verilindore, ndërsa në pjesët e tjera ka mbrojtje natyrore.
“Gjurmët që konstatuam, konsistojnë në gurë me mbetje horasani në faqet e tyre, tulla me trashësi 5 centimetra, tjegulla të tipit solen, fragmente të qeramikës parahistorike dhe të antikitetit të vonshëm. Në pjesën qendrore të platosë ruhet një trakt muri rreth 5 metra i gjatë”, shkruhet në faqen 120 të këtij botimi. Sipas autorëve, vërehen gjurmë, por që vështirë dallohen, përveç konfiguracionit natyror që ka mbetur.
“Në bazë të materialit të luajtshëm arkeologjik mund të konstatojmë që lokaliteti në falë ka qenë i banuar gjatë periudhës së bronzit të vonë, shekujt 13-12 para erës sonë, periudhës së hekurit të hershëm, shekujt 11-9 para erës sonë dhe ka vazhduar deri në mesjetë”, kanë konstatuar arkeologët në botimin e vitit 2012.
Zëdhënësi i Komunës ka konfirmuar se nuk po punohet në zonën e mbrojtur, por, sipas versionit e tij, puna mund të vazhdojë edhe aty.
“Në pjesën ku janë ndaluar punimet ka qenë e vendosur tabela. Në momentin kur të kemi marrë pëlqimin punëkryesi mund të vazhdojë. Por aktualisht po punohet më lart në trasenë rrugore”, ka thënë Lushtaku.
Ministria e Kulturës nuk ka dhënë informacion në lidhje me këtë rast, ashtu siç është duke vepruar edhe ndaj pyetjeve për raste të tjera. Kësisoj kanë vepruar edhe institucionet vartëse, pasi MKRS-ja ka centralizuar deklarimet për media. Për gjithçka përgjigjet rrallëherë kabineti i ministrit. Njëjtë MKRS-ja kishte vepruar edhe në fillim të qershorit për rastin e fundit kur në Prizren për herë të parë janë rrënuar monumente nën mbrojte të përhershme. Janë tri ndërtesa të rrafshuara nga investitori privat, duke shfrytëzuar një leje ndërtimi të Komunës së Prizrenit: ish-Fabrika e barnave, ajo që njihej si Burgu i Vjetër dhe një shtëpi e fundit të viteve ’20. Këto bashkë me Internatin dhe Postën e Vjetër, që gjenden në anën tjetër, kanë formuar kompleksin monumental “Saraji i Vjetër – Prizren”.