Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari, ka vlerësuar kontributin e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në këtë parti
Ai e ka ftuar LLadrovcin që të vazhdojë të mbetet pjesë e kësaj partie dhe të bëhet pjesë e fitores së re të PDK-së në Drenas në zgjedhjet e 12 tetorit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se PDK-ja ka vend për të gjithë.
“Partia Demokratike e Kosovës, ky projekt madhor shtetndërtues i nisur nga Presidenti Hashim Thaçi, i udhëhequr me vizion nga Kryetari Kadri Veseli e i forcuar sot nga lidershipi i Kryetarit Memli Krasniqi, nuk është pronë e askujt veçmas, por e të gjithëve bashkë. Komunën tonë PDK-ja e ka udhëhequr fitore pas fitoreje. Kjo shtëpi e kjo familje politike ka vend për çdo zemër e mendje demokrati që i përkushtohet të ardhmes së Drenasit”, ka shkruar Hajradi.
Sipas tij, në trenin e fitores së PDK-së ka vend për të gjithë.
“Ramiz Lladrovci, si çdokush tjetër që ka kontribuar në këtë parti, vendin e ka këtu, brenda PDK-së. Është koha që secili ta dëshmojë përkushtimin ndaj familjes së PDK-së dhe ta çojë edhe një hap më tutje procesin e unifikimit, përbashkimit rreth qytetarit të Drenasit. Të gjithë i ftojmë, askënd s’e lëmë anash. Partia Demokratike e Kosovës do t’i fitojë zgjedhjet në Drenas dhe në këtë tren të fitores ka vend për të gjithë. Ftesë e sinqertë për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e PDK-së, duke e përfshirë z. Lladrovci, që me maturi e respekt të bëhen pjesë e këtij procesi historik që ka nisur në PDK”, ka shkruar Hajdari.