Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu e ka pësuar mbrëmë një familje në fshatin Marmull të Gjakovës, ku hajnat kanë bërë kërdi.
Sinjali mëson se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë brenda shtëpisë së familjes, ku kanë vjedhur para të gatshme rreth 8 mijë euro dhe 1 mijë franga zvicerane. Po ashtu janë vjedhur edhe stoli ari në vlerë të mbi 4 mijë eurove.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.