E enjte, 14 Nëntor, 2024

Hakmarrja – motiv i krimit në Podujevë? Personi i arrestuar ishte rrahur dhe plagosur vjet nga ‘Dhija’ me shokë

Podujeva të hënën u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në pikë të ditës, në rrugën “Zahir Pajaziti”. Një person e shndërroi atë pjesë në skenë krimi, pasi që plumbat që u shkrepën nga dy armët e lanë të vdekur 34-vjeçarin, Valmir Breznica dhe të plagosur bashkëshorten e tij. Një person që dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, Arsim Syla, tashmë është arrestuar, teksa dorasi akoma nuk është kapur, raporton Gazeta Sinjali.

Hakmarrja – motiv i krimit të rëndë?

I dyshuari që ra në prangat e Policisë dhe personi që mbeti i vrarë njiheshin prej kohësh dhe sipas informacioneve të para, dyshimet lidhen me hakmarrje. Syla, që u arrestua mbrëmë, ishte plagosur dhe sulmuar vitin e kaluar nga disa persona, në mesin e të cilëve ishte edhe i vrari, Breznica.

Gazeta Sinjali ka raportuar në qershor të vitit 2022 se rasti kishte ndodhur në parkingun ‘Park Plazza’ në Podujevë, ku Arsim Syla, tashmë i dyshuar, pësoi plagë të rënda, si pasojë e incidentit për shkak të një konflikti që datonte prej kohësh.

Breznica ishte arrestuar dy muaj më vonë, pasi Policia e kishte shpallur në kërkim lidhur me këtë rast. Ai dyshohej se ishte përfshirë në rrahjen e Sylës, teksa dikush tjetër e kishte plagosur atë. Në fillim të gushtit të po atij viti, 34-vjeçari kishte përfunduar në ndalim policor, nën dyshimet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

Pas më shumë se një viti, Breznica u vra dhe gisht në ekzekutimin e tij, ka Arsim Syla, të cilin ai dyshohej se e kishte rrahur.

Sinjali ka publikuar sot detaje ekskluzive se si ndodhi krimi si në filma

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se ekzekutimi i të riut, që njihej me nofkën “Dhija” ka ndodhur si në filma. Të shtënat tragjike nga dy armët që i përdori i dyshuari kryesor e lanë të vdekur në vend, pasi u qëllua rreth 8 herë.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari që e vrau viktimën, e ka gjuajtur fillimisht disa herë me njërën armë e më pas ka nxjerrë armën tjetër, duke e gjuajtur sërish, plumba këta që ishin tragjik për Breznicën.

Kush dyshohet se e ndihmoi dorasin për ta kryer veprën?

Sinjali sot raportoi se i dyshuari që tashmë është arrestuar, Arsim Syla, ka qenë bashkë me dorasin pak para se të ndodhte krimi, duke e planifikuar vrasjen e 34-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur në vend nga të shtënat me armë zjarri.

Të njëjtat burime thonë se Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik dhe i njëjti më pas është prangosur e shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për të zbardhur rrethanat e rastit tragjik.

Për këtë rast tragjik janë deklaruar edhe sot nga Policia e Kosovës, me ç’rast e kanë konfirmuar arerstimin e të dyshuarit dhe bastisjen që është kryer.

“Lidhur me rastin, pas pranimit të informatave për të shtëna me armë zjarri, njësitë policore dhe ekipi i emergjencës kanë vazhduar në lokacionin e cekur me ç’rast në vendngjarje është konstatuar se viktima mashkull kosovar ishte pa shenja jete, ndërsa viktimës femër pasi i është dhënë ndihma mjekësore është dërguar për hospitalizim në QKUK.

Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e veprës së lartcekur bashkë me të dyshuarin i cili dyshohet se kishte kryer vrasjen dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën procedurë hetimore.”, thuhet në njoftimin që ka lëshuar Policia sot.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer