Rruga pët te sulmuesi belg ishte e gjatë dhe jashtëzakonisht e përdredhur, por në fund, megjithatë, Roma jo vetëm që arriti të kompletonte repartin e saj të avancuar, por edhe realizoi një nga goditjet më të bujshme të të gjithë merkatos së kësaj vere. Pra, mundësoi që Romelu Lukaku të vishet verdhekuq.
Pas kaq shumë emrave të lakuar dhe disa negociatave të nuancuara, klubi kryeqytetas ka arritur të vërë në dispozicion të José Mourinhos qendërsulmuesin e lakmuar, bomberin e thirrur për hapin e radhës të një ekipi që nuk mund t’i fshehë më ambiciet e tij.
Me Chelsea ishte një negociatë e komplikuar, e cila kërkonte punën e të gjithë stafit verdhekuq në Londër, por në fund mbërriti “tymi i bardhë”. Qendërsulmuesi belg do të zbarkojë në Romë në orët e ardhshme dhe në kryeqytetin italian, ana verdhekuqe, tashmë ka shpërthyer “Lukaku-mania”.
Negociatat me Chelsea u mbyllën të hënën dhe Lukaku pritet të mbërrijë në Itali sot, e martë 29 gusht 2023. Sulmuesi belg duhet të ulet në Ciampino rreth orës 17:00 dhe më pas të fillojë procesin e ekzaminimeve mjekësore të mërkurën. Lukaku do të mbërrijë në Itali me një avion privat, të pilotuar nga bashkëpresidenti i Romës, Dan Friedkin.
Presidenti verdhekuq, i cili ishte protagonist i madh i negociatave falë edhe marrëdhënieve të tij të shkëlqyera me pronarin amerikan të Chelsea, ka një licencë piloti aeroplani, që e lejon gjithashtu të marrë pjesë në fluturimet akrobatike të Forcave Ajrore (diçka e ofruar për shumë pak civilë).
Prandaj, ai do ta sjellë “Big Rom” në Itali, me aeroplanin privat (kjo ka ndodhur tashmë në të kaluarën me Mourinho, Abraham, Dybala dhe Wijnaldum). Pasi të largohet nga Londra, do të marrë Lukakun në Bruksel dhe do ta sjellë pa ndalesë, direkt në Ciampino.
Shqetësimi i shkaktuar nga kontrollorët britanikë të trafikut ajror në orët e fundit do të vonojë mbërritjen (fillimisht të planifikuar për në mëngjes) deri në pasdite. Negocimi për ardhjen e Romelu Lukakut te Romë ka mbajtur në ankth shumë tifozë verdhekuq ditët e fundit.
Shpresa e të gjithëve ishte se “tymi i bardhë” mund të mbërrinte brenda një kohe të shkurtër. Një pritje spazmatike, që e ka bërë edhe më të fortë atë që është kthyer në një “Lukaku mani” e vërtetë në kryeqytet dhe sipas të gjitha gjasave do të çojë në një pritje të jashtëzakonshme të belgut.
Qindra tifozë të Romës priten sot në Ciampino, të etur për të mirëpritur sulmuesin 30-vjeçar. Duke qenë se ardhja e Lukakut në Romë nuk pritet para orës 17:00, nuk ka gjasa që sot të nisin ekzaminimet e tij mjekësore.
Ka shumë të ngjarë që gjithçka të zhvendoset për nesër, në “Villa Stuart”. Ky do të jetë hapi i fundit që do t’i paraprijë nënshkrimit të kontratës, e cila do ta bëjë Lukakun lojtar të Romës.
Belgu do të kalojë te Roma me formulën e huazimit të thatë (pa të drejtë blerjeje). Do të jetë një huazim i rëndë prej 5.8 milionë euro, ndërsa belgu do të marrë pagën vjetore prej 7.5 milionë euro.
Roma do të paguajë komisionet e agjentëve, pra rreth 2 milionë euro, ndërsa Chelsea do të paguajë pagat e korrikut dhe gushtit të futbollistit.