Kryeministri Albin Kurti e zëvendësja e tij, Donika Gërvalla po mbajnë takime me diasporën në shtete të Evropës, në kuadër të parafushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.Por, për tubimet e tyre ata po i shfrytëzojnë ambasadat e Kosovës që gjenden në ato shtete, derisa fushatën po e bëjnë për Lëvizjen Vetëvendosje si parti.
Lidhur me këtë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, thotë për Gazeta Blic se po bëhen 4 vite që kur Kurti e Gërvalla e kanë marrë peng diplomacinë e Kosovës dhe sipas saj kjo është tejet shqetësuese.
“Partia Demokratike e Kosovës ka kohë që e ka ngritur këtë shqetësim sepse po bëhen pothuajse katër vite që Albin Kurti dhe Donika Gërvalla Schwarz e kanë marrë peng diplomacinë e Kosovës. Të gjitha misionet tona diplomatike dhe konsullore, sidomos në Evropë, janë në duar të militantëve partiak të cilët të vetmin aktivitet që bëjnë është të rekrutojnë votues për Vetëvendosjen. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë ngrirë krejtësisht. Ne jemi duke e përcjellë gjendjen me shumë vëmendje dhe do të jemi shumë vigjilent në raport me sjelljet e stafit diplomatik dhe konsullor”, shprehet ajo.
Musliu thekson se Kurti e Gërvalla po bëjnë fushatë elektorale duke shfrytëzuar petkun qeveritar dhe buxhetin e shtetit.“Albini dhe Donika nën petkun qeveritar dhe me buxhetin publik dhe me ndihmën e stafit diplomatik dhe konsullor po zhvillojnë vizita elektorale nëpër shtete ku mërgata jonë është më e konventuar. Pra, kemi të bëjmë me ndikim të pushtetit në diplomaci dhe zhvatje të buxhetit publik. Dy veprime të patolerueshme në demokraci për të cilat ne e kemi njoftuar opinionin publik në Kosovë por edhe mërgatën. Deri tani e kanë bërë larg syve të opinionit, tani po e bëjnë haptazi”, vlerëson deputetja për Gazeta Blic.
Ajo ka shtuar se “diplomatët e akredituar duhet t’i përmbahen parimit të paanësisë sepse janë zyrtarë shtetëror e jo partiak. Çdo sjellje tjetër pasohet me masa strikte disiplinore sipas legjislacionit në fuqi”.Po ashtu, Musliu potencon se si opozitë do t’i demaskojnë mashtruesit e keqpërdoruesit e shtetit, teksa shton se Vetëvendosje e ka kapluar frikë dhe janë të vetëdijshëm që po u vjen fundi.
“Neve si opozitë na mbetet të bëjmë punën tonë dhe t‘i demaskojmë rrencat, mashtruesit dhe keqpërdoruesit e pushtetit, kurse mediave ju bëjë thirrje për raportime objektive dhe sensibilizuese në mbrojtje të interesit publik në përgjithësi dhe të diplomacisë në veçanti. Agresiviteti i pushtetit tregon frikën që i ka kapluar dhe duke qenë të vetëdijshëm që po ju vjen fundi, nuk do të kursejnë asgjë”, deklaron deputetja Ganimete Musliu.