Friday, January 16, 2026

Konfirmohet: I akuzuari për korrupsion emërohet drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës

Ish-drejtori i Infrastrukturës, Naser Muja do ulet sërish në këtë ulëse në mandatin e Faton Pecit si kryetar.

Muja aktualisht është asambleist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Mitrovicës, gjersa nga e hëna do kthehet në zyren ku dikur kishte menaxhuar me sukses të theksuar.

Ai u propozua nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje, si pjesë e marrëveshjeve brenda koalicionit qeverisës.

Muja ka konfirmuar për “Mitropol” se do jetë drejtor i këtij dikasteri komunal.

Naser Muja ka të ngritur aktakuzë nga prokuroria

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 7 qershor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Naser Mujës dhe Fisnik Ibrahimit, me arsyetimin se në korrik të vitit 2018, në Mitrovicë, si zyrtarë, të pandehurit me dashje në kundërshtim me nenin 1, par.1 pika 1.4 dhe nenin 3 të Ligjit për Shpronësimin e Pasurisë së Paluajtshme nr. 03/L-139, kanë filluar punën në ndërtimin e rrugës në fshatin Suhodoll, në gjatësi totale prej 500m, pa u kryer të gjitha procedurat ligjore për fillimin e ndërtimit të rrugës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Naser Muja në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Sherbime Publike në Komunën e Mitrovicës dhe i pandehuri Fisnik Ibrahimi si menaxher i projektit, nuk kishin marrë pëlqimin e pronarit të paluajtshmërisë që ndodhet afër rrugës në të cilën kishte filluar ndërtimi, kështu që punimet ishin ndërprerë, dhe se të dëmtuarit R.Z., i është shkaktuar dëm në pronën e paluajtshme, ndërsa kontraktorit “Bajraktari” SHPK – Maxhunaj i është paguar shuma në vlerë prej 10 mijë e 480 euro e 50 centë, dhe në këtë mënyrë i është shkaktuar dëm Ministrisë së Zhvilimit Rural dhe buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me ketë, Muja dhe Ibrahimi, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer